SHBA dhe Britania: Dy javë kohë për zgjidhje diplomatike mbi programin bërthamor të Iranit

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, dhe homologu i tij amerikan, Marco Rubio, janë takuar për të diskutuar për situatën në përshkallëzim në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për çështjen bërthamore të Iranit, shkruan Gazeta Sinjali.

Lammy e përshkroi situatën aktuale si “të rrezikshme” dhe theksoi se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë. Ai tha se ekziston një “dritare brenda dy javëve të ardhshme” për arritjen e një marrëveshjeje diplomatike që do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.

Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i senatorit Rubio, theksohet se të dy zyrtarët janë pajtuar plotësisht që Irani nuk duhet të zhvillojë apo të pajiset kurrë me armë bërthamore.

Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të marrë një vendim përfundimtar mbi përfshirjen ushtarake të SHBA-së në konfliktin me Iranin brenda dy javësh, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë me ecurinë e përpjekjeve diplomatike.

Takimi i Lammy-t dhe Rubio-s vjen në një moment kyç për diplomacinë perëndimore, teksa tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë arritur nivele kritike pas sulmeve të ndërsjella ushtarake dhe retorikës së ashpër për çështjen bërthamore.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Mali i Zi ia dhuron Kroacisë qendrën kulturore në Tivat

Read Next

Indiana mposht Oklahomën