SHBA dërgon trupa shtesë në Kosovë

33 ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të premten, do të zbarkojnë në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Ushtarakët amerikanë do të qëndrojnë në Kosovë për nëntë muaj rresht.

Misioni i tyre primar do të jetë kryerja e operacioneve të drejtpërdrejta ajrore, mbështetja e furnizimit me karburant dhe mirëmbajtja e forcave të sigurisë së SHBA-ve në kuadër të KFOR-it.

Ushtarakët amerikanë do të nisen për në Kosovë, pas një ceremonie.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, po vazhdon të patrullojë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me baza ditore.

Aktualisht patrulla e ushtarëve italinë në kuadër të KFOR-it po patrullojnë përgjatë kufirit afër komunës së Zveçanit dhe Zubin Potokut në Veri të Kosovës.

Kontingjenti italian po vëzhgon edhe qarkullimin e varkave në liqenin e Ujmanit.

Guglielmino Esercito, komandanti përgjegjës i njësisë italiane, në një prononcim për agjencinë e lajmeve turke, Anadolu Agency, ka bërë të ditur se ushtarakët italianë janë të pajisur dhe të trajnuar mirë për t’u përballur me të gjitha llojet e sfidave në fushën e operimit.

“Kështu që KFOR-i është i gatshëm të përballet me të gjitha llojet e sfidave”, i ka thënë Esercito.

KFOR shtoi prezencën në Kosovë dhe njëkohësisht patrullimet përgjatë kufirit Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Patrullim përgjatë kufirit Kosovë-Serbi po kryejnë gjithashtu edhe ushtarët britanikë në kuadër të KFOR-it.

Ushtarët britanikë të KFOR-it i thanë Reuters javë më parë se janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 18 orë për t’u siguruar që asnjë armë ose grup të armatosur të mos të hyjë në Kosovë.

“Aktualisht ne jemi këtu në një patrullë rutinë, e cila konsiston me marrjen e inteligjencës për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas kthehet në KFOR dhe më lart”; ka thënë Lejtnant Joss Gaddie nga Ushtria Britanike për Reuters. /Albanianpost.com

Read Previous

Organizatat për Mbrojtjen e Fëmijëve i shkruajnë Qeverisë: Shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në janar

Read Next

Real Madridi i ofron kontratë të re Carlo Ancelottit, zbulohen detajet