Asgjë nuk do pengojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i dërgojë Ukrainës armët që i duhen për të luftuar kundër Rusisë. Këtë e garanton sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pas përfundimit të samitit të NATO-s në Bruksel.
Kreu i diplomacisë amerikane njoftoi se ushtrisë së Kievit do t’i jepen armë dhe sisteme të reja që nuk i janë ofruar deri më tani nga vendet e aleancës, por pa dhënë shumë detaje.
“Mund ta them pa mëdyshje, nga diskutimet e mia me shumë kolegë këtu në ditët e fundit dhe ata përreth globit, neveria ndaj asaj që po bën qeveria e Rusisë është e dukshme. Ka një përkushtim më të madh se kurrë më parë për të mbështetur Ukrainën, për të ngritur dhe rigjallëruar rendin ndërkombëtar, të cilin Moska po përpiqet ta përmbysë, duke sjellë kosto edhe më të mëdha për qeverinë ruse për të siguruar që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre”, tha Blinken.
Thirrjes së ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, për armë dhe vetëm armë iu përgjigj dhe NATO-s. Vendet anëtare të organizatës ushtarake, pas përmbylljes së samitit dyditor në Bruksel, u pajtuan t’i garantonin Kievit armatime shtesë.
“Nuk do të jap detaje se cili aleat po u ofron armë ukrainasve, por lloji i ndryshëm i luftës që do të shohim në fazën e dytë do të kërkojë nevoja të tjera nga ushtria ukrainase. Mbështetja e aleatëve do të ndryshojë në varësi të kësaj. Dhe mund të parashikoj që aleatët do t’i ofrojnë më shumë armë Ukrainës, sipas nevojave të saj në këtë fazë të luftës, së bashku me ndihmën humanitare dhe financiare”, u shpreh Mirçea Geoana.
Polonia dhe Lituania kërkuan që NATO t’i japë Ukrainës armë të rënda, por Gjermania bëri thirrje për kujdes për të shmangur një përfshirje më të madhe në konflikt. Në linjë me këtë, Kremlini ka paralajmëruar se vendimi për të armatosur dhe më tej Kievin do të ketë impakt negativ në negociatat për paqe. /A2news/