Më 10 tetor, Shqipëria do të bëhet me gjasë anëtarja e re e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut – kjo do të ishte një tjetër arritje tejet e lartë e vendit në diplomacinë ndërkombëtare.
E gjitha vjen pas një mandati tejet të suksesshëm të Presidencës së OSBE-së fillimisht, e më tej edhe e mandatit dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili mbyllet në fund të 2023-shit.
Veçanërisht në këtë të fundit, diplomacia shqiptare ka kapur nivele tepër të larta, me përballje të forta kundrejt diplomatëve rusë, me qëndrime të qarta dhe të fuqishme në mbrojtje të Kosovës dhe Ukrainës, si edhe me organizime që prekin çështje shumë të ndjeshme.
Në fakt, ka një arsye të mirë pse gjasat janë shumë të larta që Shqipëria ta marrë një mandat tre-vjeçar në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Së pari, duhet qartësuar se janë vakante dy vende, të cilat rezervohen në këtë Këshill për shtete të Evropës qendrore dhe lindore.
Për këto dy vende vakante, në garë janë Shqipëria, Bullgaria dhe Rusia – kjo e fundit kërkon rikthimin e saj në Këshill pas përjashtimit të ardhur si përgjigje ndaj luftës në Ukrainë.
Vetëm fakti se Rusia është prej kandidatëve, i jep Shqipërisë një shpresë të madhe, duke paramenduar se diplomacia evropiane dhe ajo botërore perëndimore do të jenë krejtësisht kundër Rusisë.
Megjithatë, edhe karshi “rivalëve” bullgarë, Shqipëria e ka një avantazh të qartë diplomatik, ose disa…
Së pari, Bullgaria ende e ka një çështje të hapur me Maqedoninë e Veriut sa i takon minoriteteve dhe qëndrimet shpesh herë kontroverse në këtë fushatë mund të bëjnë që vendet të dekurajohen në votimin e Sofjes zyrtare në ingranazhet e organizmit.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka një çështje të tillë të hapur me Greqinë për rastin Beleri dhe kjo mund ta shtyjë Athinën të lobojë kundër.
Por, duhet thënë edhe se Shqipëria ka fituar respektin maksimal për qëndrimet dhe përfaqësimin tejet dinjitoz në Këshillin e Sigurimit, sa për ta zhbërë tërësisht një ndikim të tillë që Greqia mund të ketë në vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Përpos kësaj, vetë Qeveria e Tiranës gëzon besim të plotë nga i gjithë komuniteti evropian – aq sa i ka besuar edhe rolin e një lideri rajonal për çështjet e integrimit, me fillimisht organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, e më tej edhe me organizimin që pritet të jetë ai i Procesit të Berlinit.
Në ndërkohë, ministeriale euro-ballkanike me rëndësi janë zhvilluar gjatë këtyre javëve në Tiranë, si shenjë përgatitje për Samitin e Procesit të Berlinit.
Si të mos mjaftonte kjo, mandati shqiptar në Këshillin e Sigurimit po mbyllet me një notë të lartë, përmes një nisme të madhe që diplomacia shqiptare ndërmori për krizat humanitare, ku kërkon partneritetin me sektorin privat, duke shtuar ndihmat.
Praktikisht, një hap i parë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ende pa e marrë mandatin në Këshillin e OKB-së.
Kështu, mbetet vetëm për t’u pritur votimi i 10 tetorit, i cili në rast se rezulton i suksesshëm, do ta mbajë flamurin e Shqipërisë vijimësisht lart në arenën ndërkombëtare diplomatike.
/albanianpost/