Shala: Nuk ka nevojë për panikë, ka mjaftueshëm oksigjen në spital

Sipas raportit të ditës së sotme të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda”, 121 pacientë janë pozitiv me Covid -19. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i spitalit, Hilmi Shala. Ai na informoi edhe mbi të dhënat për pacientët që janë në respirator.

Sa i përket organizimit është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme që nga fillimi i pandemisë. Në rastet kur gjendja ndryshon siç ka ndodhur me valën e re të virusit, rriten kapacitetet e spitalit dhe të shtretërve shtoi Shala, po për momentin gjendja është stabile.

Infermierët dhe stafi tjetër shëndetësor nuk janë duke punuar me orar shtesë, të paktën jo akoma. Sipas Shalës është duke u punuar 8 orë me ndërrime për të përmbushur kërkesat e ditëve të fundit.

Shala thotë se të gjithë që i drejtohen spitalit “Isa Grezda” do të marrin trajtimin e duhur. Ka mjaftueshëm oksigjen në stok e po ashtu edhe në tankerin e oksigjenit të lëngët që shndërrohet në gaz më pas për pacientët që kanë nevojë.

Ndonëse gjendja është e rënduar, në spital po punojnë me kapacitete të plota për të siguruar trajtim për të gjithë pacientët. Apelohet për kujdes të shtuar dhe vaksinim, pasiqë nëse vazhdohet me shifra të këtilla të të infektuarve, mund të përballemi me pengesa të shumta në sigurimin e trajtimit të duhur për secilin pacient.

Read Previous

Mbyllen tendat sërish, testimi vazhdon në hapësirat brenda QKMF, objekti vjetër

Read Next

32 vjeçari nga Gjakova humb betejën nga Covid-19