Serwer sugjeron Harrisin nëse fiton ndaj Trumpit të hartojë një plan për veriun e Kosovës

Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njëherësh njohës i dalluar i zhvillimeve politike në rajon, ka rekomanduar administratën potenciale amerikane që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme në SHBA të ndihmojë Qeverinë e Kosovës në planifikimin e lëvizjeve në pjesën veriore.

Duke supozuar se kandidatja nga radhët e demokratëve në garën presidenciale Kamala Harris do të zgjidhet presidente në ciklin e ri zgjedhor që do të mbahet më 5 nëntor 2024, ai ka potencuar se ajo duhet të konsultohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rreth një “plani të përbashkët” për të vendosur sovranitetin e vendit në veri.

“Konsultohuni me kryeministrin e Kosovës për një plan të përbashkët për të vendosur pa dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij. Kjo duhet të përfshijë fundin e frikësimit nga Serbia të serbëve që i bashkohen institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe një njohje më të gjerë ndërkombëtare”, ka shkruar mes tjerash ai.

Ai ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kërkuar nga SHBA-ja të miratojë një qëndrim zyrtar se mbështet vetëm një asociacion joqeveritar të komunave me shumicë serbe. “Vetë komunat duhet ta formojnë këtë ksociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka argumentuar profesori amerikan.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane vijnë në kohën kur SHBA-ja ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E, përkundër se analistët nuk presin që politika aktuale amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor të ndryshojë, liderët në rajon kanë preferencat e tyre./Albanianpost.com

Read Previous

Maqedonci: Ushtria jonë i tejkalon shumë prej ushtrive të Ballkanit

Read Next

SoftBank do të investojë 500 milionë dollarë në OpenAI