E ardhmja e Sergio Ramos mund të marrë një kthesë të papritur, pasi nga Egjipti kanë dalë zëra që e lidhin atë me Zamalek, një nga klubet më të rëndësishme në Afrikë.
Pas largimit të tij nga Sevilla, mbrojtësi spanjoll ka qenë objekt i interesimit të disa skuadrave, por orët e fundit është përfolur për mundësinë që ai të vazhdojë karrierën në Kajro.
Ali Hisham Nasr, një figurë me ndikim në klubin egjiptian dhe anëtar i bordit, siguroi se negociatat janë duke u zhvilluar.
Sipas Nasr, ardhja e Ramos jo vetëm që do ta forconte ekipin sportivisht, por do të ishte edhe një lëvizje kyçe për sa i përket marketingut.
“Ramos është një yll botëror dhe çdo ekip do të përfitonte nga prania e tij, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, tha ai.
Omar Zaalouk, një ndërmjetës i afërt me klubin, theksoi gjithashtu se bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit janë në një fazë të avancuar, siç raporton gazeta “AS”.
Edhe pse ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, dallimet ekonomike nuk duket se janë një pengesë e pakapërcyeshme dhe negociatat do të rifillojnë pas Superkupës së Afrikës, ku Zamalek përballet me rivalin e tij të përjetshëm, Al Ahly .
Ndërkohë, rrethi i Ramos këmbëngul se nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare. Megjithatë, kjo mundësi mund të bëhet realitet së shpejti, nëse negociatat përparojnë. /Albanianpost.com