Policia e Rajonit të Gjakovës respektivisht, njësiti rajonal i trafikut rrugor duke u mbështetur në vlerësimet e fundit që i ka bërë situatës së sigurisë në trafik, që nga data 15 korrik 2021, ka filluar me kontroll të shtuar në trafik me fokus të veçantë ndaj ngasësve të cilët janë nën ndikim të alkoolit gjatë vozitjes. Tv Syri ka qëndruar bashkë me policët gjatë kohës kur kanë realizuar alkool-testin te vozitësit e veturave që kanë ndaluar, por pothuajse në të gjitha rastet testi që tregon për konsumimin e alkoolit ka rezultuar zero. Shefi I njësisë operative në trafikun rrugor toger Sejd Dobraj tha se për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion po merren masa konform Ligjit për Trafikun Rrugor ku vetëm gjatë ditëve të fundit mbi 50 patentë-shoferë janë konfiskuar dhe atyre drejtuesve të automjeteve iu është pezulluar e drejta e drejtimit të automjeteve.
Sipas zyrtarëve policor nëse testi rezulton 0.50 atëherë ngasësi i automjetit është nën ndikim të alkoolit dhe varësisht nga sasia shqiptohet edhe gjoba.
Bazuar në fluksin më të madh të pjesëmarrësve në trafik dhe ardhjes së bashkatdhetarëve tanë është rritur numri i automjeteve dhe qytetarëve, prandaj edhe kundërvajtjet janë më të shpeshta si ato për ngasje nën ndikim të alkoolit, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjeteve dhe të tjera. Por për qytetarët ky aksion po mirëpritet sepse sipas tyre kjo ndikon që edhe numri i aksidenteve të jetë më i vogël.
Me këtë plan dhe të gjitha operacionet tjera të policisë së Kosovës po vlerësohen edhe mërgimtarët.
Plani operativ konsummi i alkoolit gjatë ngasjes po realizohet nga njësia e trafikut rrugorë në bashkëpunim me të gjitha njësitet tjera të stacionit policor në Gjakovë. Ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit dhe do të vazhdoj derisa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar.