Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka sekuestruar asete me vlerë rreth 1 milion euro në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për pastrim të të ardhurave nga trafikimi i drogës.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar më 30 qershor në Prishtinë, në bashkëpunim me autoritetet e Italisë dhe Francës, të koordinuara nga Europol dhe Eurojust.
“Operacioni është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga trafikimi i drogës”, thuhet në njoftim.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet mundësuan identifikimin e llogarive bankare, interesave në biznese, pronave të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë në pronësi të një çifti shtetasish të Kosovës me banim në Itali, të cilët janë nën hetim për pastrim parash. Çifti ishte arrestuar në Francë në shtator të vitit 2025, pasi policia kishte gjetur më shumë se 56 kilogramë shufra ari dhe 2.5 milionë euro të fshehura në dy automjete.
Sipas njoftimit, në shtator të vitit 2025 ishin sekuestruar edhe asete të tjera me vlerë mbi 30 milionë euro, të lidhura me një rrjet kriminal transnacional të angazhuar në pastrimin e të ardhurave të krijuara nga trafikimi i drogës.
“Konvertimi i parave të gatshme në ar shërbeu për një qëllim të dyfishtë: fshehjen e origjinës së paligjshme të të ardhurave kriminale dhe lehtësimin e fshehjes dhe transportit të tyre ndërkufitar, veçanërisht në Kosovë, Turqi dhe Marok”, thuhet më tej.
Prokuroria Speciale thekson se, në koordinim me Policinë e Kosovës, u arrit “identifikimi, gjurmimi dhe sekuestrimi i aseteve brenda territorit të Republikës së Kosovës me një vlerë të vlerësuar prej afërsisht 1 milion eurosh”.
Europol dhe Eurojust mbështetën hetimin duke lehtësuar bashkëpunimin operacional dhe gjyqësor ndërmjet autoriteteve të Kosovës, Italisë dhe Francës. /RTKLive