Autoritetet doganore kanë zbuluar dhe sekuestruar mijëra litra pije alkoolike në komunën e Gjakovës, pasi prodhimi i tyre “nuk ishte i autorizuar” dhe subjektet janë shmangur nga pagesa e akcizës e poashtu këtë veprimtari po zhvillonin si biznes të jashtëligjshëm. Grupet e përbashkëta doganore gjatë ditës sotme ushtruan kontroll në katër lokacione të ndryshme në komunën e Gjakovës. Me urdhër të Prokurorisë themelore dhe Gjykatës themelore të Gjakovës gjatë kontrollit janë gjetur mijëra litra të dyshuara të pijeve alkoolike si raki dhe verë. Të gjitha këto pije ishin të paetiketuara dhe të ambalazhuara në shishe qelqi dhe enë më të mëdha. Pas një pune operative të njësitit antikontrabandë pijet alkoolike u sekuestruan nga strukturat e Doganës.
Sipas zyrtarëve doganor personat e dyshuar nuk ishin të regjistruar si subjekt tatimpagues e poashtu nuk kanë qenë të pajisur me leje nga Agjencia Kosovare e Ushqimit për prodhimin e verës, dhe përveç kësaj asnjëherë nuk ishin të regjistruar si subjekt Akcize pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Andaj ndaj tyre do të meren masat ndëshkuese sipas ligjit. Dogana e Kosovës me të gjitha njësitet relevante në vazhdimësi është në terren duke zhvilluar operacione të tilla me synim goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, importimit apo eksportimit të pijeve alkoolike të cilat operojnë jashtëligjshëm.