Marina gjermane do të kontribuojë me anije për të mbrojtur infrastrukturën në Detin Baltik mes shqetësimeve për të ashtuquajturën “flota hije” ruse dhe incidenteve të fundit të dëmtimit të kabllove nënujore, tha sot kancelari Olaf Scholz.
Scholz, i cili po merr pjesë në një mbledhje në Helsinki për sigurinë e Detit Baltik, tha se Gjermania ishte e përgatitur të merrte përgjegjësinë “me burimet e veta” në funksion të kërcënimit në rritje.
“Sigurisht, kjo do të thotë se ne do të sigurojmë edhe sigurinë në Detin Baltik me anijet gjermane”, tha ai.
“Flota hije” ruse i referohet anijeve- cisternë dhe anijeve të tjera të mallrave, shpesh anije në gjendje të keqe dhe me struktura të errëta pronësie, që Rusia përdor për të eksportuar naftë dhe mallra të tjera pavarësisht sanksioneve të vendosura si rezultat i pushtimit të Ukrainës.
NATO synon të zgjerojë praninë e saj në Detin Baltik dhe ka nisur një mision vëzhgimi.
Dy anëtarët e rinj të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, kanë njoftuar tashmë se do të marrin pjesë me anije.
Misioni i NATO-s do të përfshijë gjithsej rreth 10 anije detare. Estonia tashmë ka një anije detare që patrullon Gjirin e Finlandës.
Në samitin në Helsinki, tetë vendet e NATO-s në Detin Baltik – Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia – po kërkojnë të koordinojnë përgjigjet ndaj akteve të dyshuara të qëllimshme të dëmtimit të infrastrukturës në det. /ATSH-DPA/