Francesco Totti ka qenë gjithmonë egoist. Këtë konluzion e jep Walter Sabatini, i cili e ndoqi “Pupone” për vite te Roma. Duke folur për të në “Corriere della Sera”, nënvizoi mes të tjerash: “Nuk mund të mos kishte egoizëm tek ai, jeta e çoi në atë rrugë. Ai kurrë nuk e pati forcën intelektuale për t’u çliruar në Romë, ku ishte si i burgosur. Që në moshën 17-vjeçare nuk dilte dot nga shtëpia. Histerinë që pashë ndaj tij e pagoi me vetmi, edhe sot është një djalë i vetmuar”.
Në të kaluarën, Sabatini ka thënë disa herë se, sipas tij, do të ishte e përshtatshme që Roma ta kthejë Tottin në klub: “Ai ka ndjeshmëri dhe gjykim, e meriton të jetë menaxher si Ibra te Milani. Është njeri shumë gjenerik, Roma duhet t’ia besojë atij sektorin e sportit”.
Gjatë bisedës, kishte vend edhe për disa anekdota të lidhura me të kaluarën e tij te Roma: “Kisha punësuar një person për t’i survejuar disa lojtarë, të cilët rrinin zgjuar deri në orën 3 të mëngjesit. Kjo ndodhte thuajse gjithmonë me Maicon dhe Nainggolan. Radja ishte ndoshta mesfushori më i fortë që kam pasur në menaxhim, por me shumë probleme disiplinore”. /Telesport.al/