Sa përqind e shqiptarëve janë vaksinuar me të dyja dozat?

Në një përditësim për vaksinimin masiv, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se deri dy ditë më parë, 760,960 qytetarë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Sipas të dhënave të ministrisë, çdo ditë kryhen gati 10 mijë vaksinime. Referuar të dhënave për numrin e të vaksinuarve me dy doza në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë (diçka më shumë se 2.8 milionë banorë), në Shqipëri afro 27% janë vaksinuar me të dyja dozat.

Në një raport të OurWordData.org, konkretisht shkruhet se në vendin tonë, 26.25% e qytetarëve kanë marrë të dyja dozat, ndërsa 6.11% vetëm një dozë.

Përsa u përket vendeve të rajonit, Serbia qëndron e para në Ballkanin Perëndimor, ku janë vaksinuar në total 44.37% e popullsisë (sipas të dhënave deri më 25 shtator), nga të cilët 42.34% kanë marrë të dyja dozat.

Portugalia është shteti që ka vaksinuar më shumë qytetarë me të dyja dozat (84.60%), ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe qëndrojnë në vendin e parë në lidhje me numrin total të vaksinave të kryera (92%).

Ministria e Shëndetësisë njofton se në vendin tonë kanë mbërritur 2,045,310 vaksina anti-Covid dhe vaksinimi masiv vazhdon ende./Anabelmagazine

Read Previous

Udhëheqja e kancelares Angela Merkel, përmes fotove

Read Next

Xhafer Xhiha tregoi për ndikimin e COVID-19 në mushkëri