Sa antitrupa mjaftojnë që të jesh imunizuar?

A ka vepruar vaksina? Për këtë të jep informacione identifikimi i antitrupave. Por sa i lartë duhet të jetë numri i tyre kjo mund të thuhet aktualisht me përafërsi, thonë studiuesit.

Pas shërimit nga infektimi me virusin apo pas vaksinimit krijohen tek njeriu antitrupa kundër proteinës Spike. SARS-CoV-2 e përdor këtë proteinë për t’u vendosur tek qelizat dhe për të depërtuar në to. Nga proteina Spike antitrupat mund ta dallojnë virusin, të fiksohen aty dhe ta bëjnë kështu të “kuptueshëm” për qelizat e sistemit imunitar.

Tek vaksinat e tipit ARNm, si BioNTech/Pfizer studiuesit ishin të mendimit, se të vaksinuarit janë të mbrojtur mbi 90% nga virusi, por pas variantit Delta, më infektues, kjo mbrojtje është më e ulët dhe virusi ia del t’i infektojë njerëzit që kanë marrë vetëm vaksinën e parë.

Imunologu, Carsten Watzl nga Instituti Leibniz i Universitetit Teknik të Dortmundit vlerëson, se efektiviteti i vaksinës BioNTech bie në 88 për qind, kurse ai i vaksinave vektor si AstraZeneca nga 66 për qind bie në 60 për qind. Të dhëna nga Izraeli madje flasin për një mbrojtje vetëm 64 për qind me vaksinën BioNTech/Pfizer. Ministria e Shëndetësisë mendon për një vaksinim të tretë.

Varianti Delta po i vë studiuesit para sfidave të mëdha. Deri më tani shumica prej nesh në rastin më të mirë pas dy vaksinimevejanë të imunizuar ndaj varianteve të njohura të virusit. Por kjo nuk i përfshin të gjithë të vaksinuarit, thotë imunologu Carsten Watzl. “Vetëm vaksina nuk të garanton që je i imunizuar. Vendimtare është që trupi ynë të ketë krijuar mbrojtjen e duhur. Por këtë nuk mund ta masim mjaft saktë ende deri më tani.”

Ndryshe qëndron puna me vaksinën kundër tetanozit. Nëse nuk e dimë, nëse kemi mbrojtje të mjaftueshme, atëherë mund ta masim këtë me prova në laborator. Nëse numri i antitrupave qëndron mbi një vlerë të caktuar, atëherë personi është i imunizuar kundër virusit, nëse vlera është e ulët, mjeku mund të rekomandojë përsëritjen e vaksinës, raporton dw.

“Në lidhje me Coronën nuk e kemi arritur ende këtë stad. Ne nuk e dimë saktë, se çfarë duhet të masim, me qëllim që të përcaktojmë vërtet, nëse dikush është imunizuar apo jo. Antitrupat neutralizues luajnë me shumë gjasë një rol vendimtar, sepse “e lidhin” virusin, që të mos infektojë qeliza të tjera. Por se sa i lartë duhet të jetë numri i antitrupave është ende e paqartë”, shprehet eksperti Watzl./Telegrafi

Read Previous

Për herë të parë një revistë e dedikuar për arbëreshët e titulluar “Continuum”

Read Next

Facebook me orë inteligjente