Rutte: NATO planifikon ta zvogëlojë praninë e KFOR-it në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca planifikon të reduktojë numrin e trupave të KFOR-it në Kosovë, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend gjatë vitit të fundit.

Duke folur në Bruksel para takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, Rutte tha se zhvillimet në terren kanë krijuar kushtet për një rishikim të pranisë ushtarake të Aleancës në Kosovë.

Sipas tij, NATO-ja tashmë ka ndërprerë në janar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm, si reflektim i vlerësimeve pozitive për gjendjen e sigurisë.

Rutte bëri të ditur se KFOR-i aktualisht ka rreth 4,700 trupa, por synimi është që numri i tyre të kthehet në nivelin që ishte para vitit 2023.

“Në varësi të rrethanave, prania e KFOR-it do të jetë ndërmjet 3,000 dhe 3,500 trupave”, tha ai, duke shtuar se ky reduktim pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Megjithatë, shefi i NATO-s theksoi se misioni i KFOR-it do të vazhdojë të mbetet i përkushtuar ndaj mandatit të tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.

Pak ditë më parë, edhe komandanti i forcave të NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, kishte paralajmëruar një “optimizim” të pranisë së KFOR-it në Kosovë. /Albanianpost.com

Read Previous

OEK: Kosova të përfshihet urgjentisht në projektet rajonale të gazit

Read Next

“Sheshi” që nuk u bë kurrë shesh