Rusia lëshon mbi 100 dronë mbi Ukrainë

Rusia ka lëshuar më shumë se 100 dronë Shahed në Ukrainë natën e së dielës, ka bërë të ditur të hënën forca ajrore ukrainase, pasi Kremlini refuzoi një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor në luftën më shumë se 3-vjeçare.

Ndërkohë, nuk ka ende një përgjigje nga Kremlini ndaj sfidës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin të takohen ballë për ballë të enjten në Stamboll, për bisedimet e paqes, raporton AP.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane kanë bërë një shtytje të përbashkët për të ndalur luftimet, të cilat kanë vrarë dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët, si dhe më shumë se 10,000 civilë ukrainas.
Forcat pushtuese ruse kanë marrë rreth një të pestën e Ukrainës.

Në një stuhi zhvillimesh diplomatike gjatë fundjavës, Rusia ka shmangur propozimin e armëpushimit të paraqitur nga udhëheqësit e SHBA-së dhe evropianët, por ka ofruar bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën të enjten.

Ukraina, së bashku me aleatët evropianë, i kanë kërkuar Rusisë të pranonte një armëpushim duke filluar nga e hëna përpara se të zhvilloheshin bisedimet e paqes. Moska e ka hedhur poshtë propozimin dhe në vend të kësaj ka bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta në Stamboll.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka këmbëngulur që Ukraina të pranojë ofertën ruse. Mirëpo Zelensky ka shkruar një hap më tej, duke i kërkuar Putinit një takim personal.

“Nuk ka kuptim të zgjaten vrasjet. Dhe unë do të pres Putinin në Turqi të enjten. Personalisht”, ka shkruar Zelensky të dielën në X./koha.net/

Read Previous

Spanja miraton projektligjin, redukton orët javore të punës

Read Next

Dielli do të bëhet më i nxehtë