Një tjetër humbje e madhe për forcat ruse në luftën në Ukrainë. Oficeri i lartë i Gardës, Vitaly Nikolaevich Shapovalov, është vrarë më 11 maj gjatë luftimeve në qytetin Chasiv Yar, në rajonin e Donetsk.
Shapovalov, 51-vjeçar, ishte një nga snajperistët më të njohur të ushtrisë ruse, për të cilin mediat shtetërore ruse kanë raportuar se konsiderohej si “legjendë e snajperimit”. Megjithatë, Forcat e Armatosura të Ukrainës i kanë dhënë fund karrierës së tij ushtarake.
Ndonëse rrethanat e vdekjes së tij mbeten të paqarta, burime të afërta me komandën ushtarake ruse thonë se ai u vra gjatë një “detyre luftarake”.
Shapovalov kishte një karrierë të gjatë dhe të dekoruar – ai kishte shërbyer pesë herë në Çeçeni dhe kishte qëndruar për dy vite në Siri, duke marrë pjesë në operacione luftarake. Ai ishte nderuar personalisht nga presidenti Vladimir Putin me disa dekorata ushtarake.
Pas vdekjes së tij, pritet që Putini ta dekorojë me titullin më të lartë shtetëror – Hero i Rusisë, një nder që shpesh i jepet vetëm figurave të shquara.