Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e vizitoi Kanalin e Panamasë më 2 shkurt, nga ku e paralajmëroi Panamanë se Uashingtoni do të “ndërmarrë masa të nevojshme”, nëse ajo nuk e kufizon përfshirjen e Kinës në rrugën e rëndësishme ujore.
Pas kërcënimeve, presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, e ritheksoi sovranitetin e vendit të tij mbi këtë kanal, por la të kuptohej se ka mundësi të rishikohen marrëveshjet me Pekinin dhe njoftoi gjithashtu hapa shtesë për të bashkëpunuar për imigracionin, i cili është çështje e rëndësishme politike për administratën amerikane.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Rubio i përçoi një mesazh nga presidenti Donald Trump, duke theksuar se prania e Kinës është kërcënim për rrugën ujore dhe e shkel traktatin SHBA-Panama.
“Sekretari Rubio e bëri të qartë se kjo status-quo është e papranueshme dhe se, në mungesë të ndryshimeve të menjëhershme, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa të nevojshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre sipas traktatit”, tha Bruce.
Rubio nuk shpjegoi hapat që do të duhej të ndërmerreshin nga Panamaja, apo çfarë veprimesh hakmarrëse mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, nëse nuk merren masa.