Eksportet bujqësore kanë shënuar një rritje prej 19.5% gjatë vitit 2024, duke iu referuar periudhës janar-nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lajmin e ka bërë me dije ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, përmes një publikimi në median sociale X.
“Performanca pozitive e sektorit bujqësor tregon punën e palodhur të fermerëve tanë për produkte cilësore Made in Albania, konkurruese në tregjet ndërkombëtare”, shkruan ministrja lidhur me të dhënat e fundit.
Përmes një grafiku ilustrues bashkëngjitur, Denaj tregon edhe sasinë në tonë, që prodhimet bujqësore kanë pasur në dy vitet e fundit, gjatë periudhës janar-nëntor.
Sipas grafikut, shifra e eksportimit në vitin e shkuar ka qenë në 364 mijë e 219 tonë produkte bujqësore të eksportuara. Nga ana tjetër, këtë vit për 11-mujorin, shifra është 435 mijë e 372 tonë.
Kështu, duke shënuar edhe rritjen prej 19.5%. /Albanianpost.com