Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës vazhdojnë t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.
Ai ka thënë se nga 9 maj e deri më 3 korrik kanë aplikuar 1 mijë e 901 qytetarë për konvertimin e patentë shoferit ilegalë në RKS.
Vendimi për zëvendësimin e patentë shoferëve ka hyrë në fuqi më 9 maj dhe kjo mundësi do të jetë e hapur për tre muajt e ardhshëm, deri më 9 gusht 2024.
MPB ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi në gjuhën serbe, kishte deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.
“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”, ishte shprehur Kurti. /Reporteri.net/