Rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

Rreth 60 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushim, kurse mbi 40.7 për qind e tyre shpenzimet për strehim dhe banim i paraqesin si barrë të rëndë.

Kështu thuhet në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se 12 për qind e familjeve janë deklaruar se kanë probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa si dhe korniza të dritareve dhe dysheme të kalbura.

“57.3 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë. Për 40.7 për qind të ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare. Në shpenzimet për strehim janë përfshirë: pagesa e kredisë hipotekare, qiraja, sigurimet dhe pagesat për shërbime, shpenzimet për mbledhjen e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, mirëmbajtja e rregullt, riparimi dhe shpenzime tjera”, thekson ASK-ja.

Mbi gjysma e familjeve në vend nuk mund ta përballojnë shujtën me mish.

“54 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shujtën me mish, pule dhe peshk çdo të dytën ditë”, vijon raporti.

Afër 60 për qind e ekonomive familjare në vend nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro.

“43 për qind e ekonomive familjare mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro dhe të paguaj prej burimeve vetanake, ndërsa 57 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim”, pohon ASK-ja.

Për sa i përket detyrimeve financiare, rreth 70 qind e familjeve kanë deklaruar se e kanë barrë të rëndë pagesën e kredive.

“Për 67.8 për qind të ekonomive familjare ishte barrë e rëndë financiare pagesa e borxheve për kartë kredit, blerje të madhe ose kredi të tjera (duke përjashtuar pagesat peng ose kredi të tjera lidhur me blerjen e shtëpisë apo banesës) për 29.2 për qind e tyre ishte deri diku barrë financiare”, tregon raporti.Reklama

“12.7 për qind e ekonomive familjare kishin vështirësi të mëdha në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale dhe gjendjen për të kryer pagesat e nevojshme të zakonshme, 16.9 për qind e ekonomive familjare e përballonin me vështirësi dhe 52.7 për qind me disa vështirësi”, shton ASK.

Sipas këtyre të dhënave, mbi 80 për qind e individëve në Kosovë kanë thënë se gëzojnë shëndet të mirë.

“82.4 për qind e individëve në ekonomitë familjare në Kosovë kanë deklaruar se gëzojnë shëndet shumë të mirë, 8.9 për qind e individëve në ekonomitë familjare me shëndet jo të keq, ndërsa 8.7 për qind e individëve në ekonomitë familjare me shëndet shumë të dobët”, përfundon raporti.

/Telegrafi/

Read Previous

Gjakovë, arrestohet një burrë për sulm seksual

Read Next

Për një javë, katër raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt