Rreth 21 mijë familje me asistencë sociale subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse

Rreth 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë në asistencë sociale do të përfitojnë nga subvencionimi për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me nga 120 euro në tërësi dhe me nga 30 euro shtesë për çdo anëtarë të familjes.

Kjo masë është mbështetur nga pakoja energjetike emergjente e Bashkimit Evropian, ku Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, ka pranuar mbështetje financiare në vlerë prej 75 milionë euro, e që 5 milionë prej tyre janë alokuar për subvencionimin e familjeve me asistencë sociale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se familjet të cilat do të përfitojnë nga ky subvencionim nuk kanë nevojë të aplikojnë, meqenëse Qendrat për Punë Sociale kanë familjet të cilat pranojnë mbështetjen sociale.

Ai potencoi se Departamenti për Punë Sociale bën përllogaritje, që për secilën familje të ndahen nga 120 euro, që është shumë ekuivalente me dy metra kub lëndë djegëse me çmimin e tregut, derisa shtoi se do të ndahen edhe nga 30 euro shtesë për çdo anëtarë të familjes.

“Kjo masë është e mbështetur nga Bashkimi Evropian, nga pakoja energjetike emergjente e Bashkimit Evropian. Ne kemi pranuar një mbështetje financiare në vlerë prej 75 milionë euro ku ato mjete, njëra nga masat është edhe kjo për mbështetjen e grupeve të cenueshme për sigurimin e lëndëve djegëse për sezonin e dimrit. Në tërësi janë 5 milionë euro të alokuara për këtë masë…Sa i përket mënyrës, se si do të bëhet përfitimi, nuk kanë nevojë për aplikim meqenëse pra qendrat për punë sociale tashmë kanë familjet të cilat pranojnë mbështetjen sociale. Departamenti për punë sociale do të bëjë përllogaritjen dhe përllogaritja bëhet në formën që për secilën familje, përfitim është 120 euro, që është ekuivalent me dy metër kub me çmimin e tregut, ndërkaq për çdo anëtarë të familjes dike filluar nga kryefamiljari është 30 euro shtesë. Që nënkupton që për një familje katër anëtarshe do të ketë 120 për familjen plus 120 të tjera pra nga 30 për secila. Anëtar që i bie nga 240 euro…Subvencionimi realizohet direkt në llogarinë bankare të familjes përfituese…21 mijë familje me 81 mijë anëtarë”, tha Murati.

Ndërkaq, lidhur me masën 1.2, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me këtë shumë Qeveria do të mundësojë subvencionimin e blerjes së lëndës djegësve për familjet me asistencën sociale, me qëllim tejkalimin sa më të lehtë të dimrit.

Ai potencoi se si qeveri strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve e ekzekutuan në dy drejtime. Këto u bënë, sipas tij duke iu përgjigjur nevojës për të lehtësuar vështirësitë e krizave dhe duke nxitur zgjidhje të qëndrueshme për familjet në nevojë përmes punësimit në tregun e punës.

Derisa foli për arritjet, Kurti potencoi faktin për kujdesin ndaj nënave lehonë dhe fëmijëve, ku potencoi se deri më tani kanë përfituar mbi 49 mijë nëna dhe 387 mijë fëmijë.

“Bashkë na u desh të ballafaqoheni me pandeminë, pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe një krizë të gjithmbarshme energjetike. Faktin që u rrethuam nga një ambient shpesh herë i vështirë e i rëndë vetëm sa intensifikoj përkushtimin tonë drejt kujdesit për qytetarët…Si qeveri strategjinë për mbrojtjen dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e veçanërisht atyre që patën e kanë më së shumti nevojë ekzekutuam në dy drejtime. Më njërën anë iu përgjigjëm nevojës për lehtësuar vështirësitë e krizave të lartpërmendura shkaktuan te ekonomitë familjare. Dhe në anën tjetër nxitëm zgjidhje të qëndrueshme për këto familje përmes punësimit në tregun e punës…Kemi filluar duke e rritur asistencën sociale nga 30 për qind mbi nivelin e rregullt të saj në vitin 2021. Më pas mbështetjen e vazhduam duke dyfishuar asistencën sociale katër herë brenda viteve 2021-2022. Mandej përkrahëm me 1.4 milion euro 19 kuzhina popullore. Dhe bashkëpunuam me organizatat jo qeveritare për ofrimin e mbi 36 mijë pakove dhe rreth 350 mijë shujtave për shtresat e cenueshme të shoqërisë”, potencoi Kurti.

Shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se qëllimi i kësaj mbështetje është të përshpejtohet zhvillimi ekonomik, përmes investimit dhe financimit përmes granteve.

Ai shtoi se presin bashkëpunim të mëtutjeshëm në sektorin e energjisë dhe reformat e zbatimit dhe investimeve, për të siguruar siç tha si një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ministria e Ekonomisë ka pranuar më shumë se mijëra aplikacione për pajisje ngrohëse dhe pajisje elektrike që përfshinë makinat për larje dhe frigoriferët dhe së fundi ka lansuar thirrjen për te lansuar bizneset me pajisje ngrohëse. Progres i madh tanimë është bërë në zbatimin e pakos sonë…Qëllimi është të përshpejtojmë zhvillimin ekonomik, përmes investimit, financimit përmes granteve si pjesë e 6 milionë euro, Kosova dhe rajoni do të përfitojë më tutje nga korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor…Ne mirëpresim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm në sektorin e energjisë dhe në reformat e zbatimit dhe investimeve për të siguruar një të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të sjellë Kosovën më afër BE-së”, theksoi Stenbaek. /KosovaPress/

Read Previous

​Më 14 dhjetor shqiptohet Aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

Read Next

Ambasadori i Shqipërisë takohet me deputetët e Kuvendit të Kosovës