Pas stërvitjes së sotme të Kombëtares së Kosovës, sulmuesi Albion Rrahmani ka folur për ndeshjen ndaj Andorrës, ndërsa edhe tregoi se çka nënkupton për të ta veshë fanellën e “Dardanëve”.
Djelmoshat e Primozh Glihës stërvitën sot për herë të fundit në Kosovë, pasi që nesër nisen drejt Andorrës, raporton KosovaPress.
Rrahmani tha se ndeshja ndaj Andorrës është e vështirë, por që beson se “Dardanët” kanë kualitetin e duhur për të marrë tre pikët.
“Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë”, tha Rrahmani.
Më tej, ylli i Rapid Bukureshtit tha se është krenarë që e vesh fanellën e Kosovës, për të cilën ka ëndërruar me vite.
“Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndrruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, tha Rrahmani.
Kosova luan si mysafire e Andorrës të enjten (12 tetor) me fillim nga ora 20:45, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.