Cristiano Ronaldo ka kryesuar listën e revistës Forbes për sportistët më të paguar në botë për të tretin vit radhazi, ndërsa ylli i NBA-së, Stephen Curry, është ngjitur në vendin e dytë.
Sipas revistës së njohur të biznesit, Ronaldo – i cili e ka kryesuar këtë listë pesë herë gjatë karrierës së tij – ka rritur të ardhurat e tij të përgjithshme të vlerësuara me 15 milionë dollarë, duke arritur në 275 milionë dollarë.
Kjo shifër është tejkaluar vetëm nga boksieri i njohur Floyd Mayweather, i cili fitoi 300 milionë dollarë në vitin 2015 dhe 275 milionë dollarë në vitin 2018.
Sulmuesi portugez, 40 vjeç, u transferua në ligën saudite të futbollit me skuadrën Al Nassr në dhjetor 2022 dhe ka rritur të ardhurat e tij përmes marrëveshjeve të sponsorizimit dhe mbështetjes nga rrjetet sociale, ku aktualisht ka 939 milionë ndjekës.
Ylli i Golden State Warriors, Stephen Curry – i cili në mars u bë lojtari i parë në NBA që arrin 4,000 pikë në karrierë – është ngjitur në vendin e dytë me 156 milionë dollarë.
Boksieri britanik Tyson Fury është ngjitur në vendin e tretë me 146 milionë dollarë, pavarësisht se humbi titujt botërorë në peshën e rëndë ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk në dhjetor.
Fury përfitoi financiarisht nga një reality show në Netflix dhe një marrëveshje me turizmin maltez.
Rivali i përjetshëm i Ronaldos, Lionel Messi, ka rënë më poshtë në renditje duke kaluar nga vendi i tretë në të pestin.
Top 10 sportistët më të paguar në botë për vitin 2025
- Cristiano Ronaldo, futboll – $275 milionë
- Stephen Curry, basketboll – $156 milionë
- Tyson Fury, boks – $146 milionë
- Dak Prescott, futboll amerikan – $137 milionë
- Lionel Messi, futboll – $135 milionë
- LeBron James, basketboll – $133.8 milionë
- Juan Soto, bejsboll – $114 milionë
- Karim Benzema, futboll – $104 milionë
- Shohei Ohtani, bejsboll – $102.5 milionë
- Kevin Durant, basketboll – $101.4 milionë