Kosova do të vazhdojë pas pak ditësh rrugëtimin në ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror në UEFA Nations League.
Dardanët fillimisht kanë punë në udhëtim ndaj Lituanisë me 12 tetor, teksa me 15 tetor presin Qipron në Prishtinë.
Përderisa rrugëtimi nuk filloi mirë për Kombëtaren e Kosovës në muajin shtator aty ku pësuan në ndeshjen e parë nga Rumania, ‘Dardanët’ morën vetën duke fituar në udhëtim ndaj Qipros me rezultat të thellë 0-4.
Megjithatë humbja në shtëpi ndaj Rumanisë nuk ishte e vetmja gjë që shkoi keq për Kosovën në muajin që lamë pas.
Tre yjet e Kosovës, Aro Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija u përjashtuan nga grumbullimi duke humbur ndeshjen ndaj Qipros, pasi lojtarët thyen rregullat e grumbullimit duke dal jashtë ambienteve të kampit të Kosovës përkatësisht në lokale të natës.
Ky skenar duket se u la pas nga dy palët pasi të tre janë grumbulluar sërish nga trajneri, Franco Foda pasi siç u publikua edhe nga FFK lojtarët kishin pranuar fajin dhe kanë kërkuar falje ndaj stafit, trajnerit, FFK-së dhe bashkëlojtarëve.
Lista e trajnerit Foda u publikua tre ditë më parë, kurse në sy bie menjëherë mungesa e sulmuesit kryesor të Kosovës, Vedat Muriqi i cili vuan nga një lëndim.
Megjithatë në këtë listë nuk mungojnë sulmuesit në formë si Albion Rrahmani e Fisnik Asllani, teksa në rradhët e gardianëve të portës u shtua edhe një përforcim, Amir Saipi.
Saipi është një portier i talentuar që luan në skuadrën e Luganos, aty ku ka bërë 83 paraqitje, teksa ishte edhe pjesë e grupmoshave të reja të Zvicrës U20 dhe U21 ku ka bërë 4 përkatësisht 14 paraqitje.
Trajneri Franco Foda u shpreh i lumtur që Saipi zgjodhi Kosovën teksa shtoi se është gjë e mirë që ‘Dardanët’ kanë tre portierë në dispozicion.
“Tani kemi 3 portierë në dispozicion, Saipin e kam shikuar me kujdes në ndeshjet e Luganos dhe jam shumë i lumtur që ai të luajë për Kosovën. Ka cilësi të mira dhe lojë të sigurt. Kush do të luajë, do vendosi në seancat stërvitore”, tha Foda në konferencën për shtyp.
Foda gjatë konferencës u shpreh i shqetësuar me mungesën e ‘piratit kosovar’, por sipas tij Kosova ka cilësi për të mbuluar këtë mungesë, duke e cilësuar Rashicën si opsion të parë.
“Vedati është shumë i rëndësishëm për ekipin tonë, kemi mjaftueshëm alternativa, e kemi Rashicën si opsion të parë, pastaj Asllani, por edhe Rrahmani. I kemi pra disa alternativa që mund ta zëvendësojnë Vedat Muriqin”, tha Foda.
Kosova aktualisht në grupin 2 të Ligës C të Kombeve pozicionohet si e dyta me tre pikë, menjëherë pas rivalit kryesor të grupi Rumanisë që ka 6 pikë.
Dardanët do të shpresojnë për një lëshim të Rumanisë dhe fitoret e tyre për të ëndërruar pozitën e parë në këtë grup.
Ndeshja e parë e këtij muaji ndaj Lituanisë zhvillohet të shtunën nga ora 15:00, teksa ndeshja ndaj Qipros me datë 15 tetor zhvillohet nga ora 20:45. /GazetaBlic Sport/