Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer në operim pas përfundimit me sukses të riparimit të rregullt vjetor.
Sipas njoftimit të KEK-ut, procesi i startimit të njësisë ka nisur në orët e para të mëngjesit, ndërsa pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe procedurave të nevojshme, A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15.
Rikthimi i kësaj njësie në funksion pritet të ndikojë në rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe në forcimin e gatishmërisë teknike të KEK-ut për sezonin e ardhshëm dimëror.
KEK ka vlerësuar punën e ekipeve teknike, inxhinierëve dhe stafit të Termocentralit “Kosova A”, duke i falënderuar për angazhimin dhe realizimin me sukses të procesit të mirëmbajtjes.
Njësia A4 është një nga kapacitetet e rëndësishme prodhuese të sistemit energjetik vendor, ndërsa rikthimi i saj në punë synon të kontribuojë në stabilitetin e furnizimit me energji.