E premtja e 2 qershorit do të shihte të publikuar një raport të ri nga Instituti i Statistikave INSTAT në Shqipëri, ku reflektohej se si popullata shqiptare kishte rënë për vitin 2022 në 2.76 milionë banorë, duke u tkurrur kështu me 1.1% vetëm në vitin e fundit.
Në terma faktikë, ashtu si tregon raporti, problemi i vërtetë qëndron më shumë jo në shtimin ose rënien natyrore të popullsisë, pasi raporti i lindjeve me vdekjet mbetet pozitiv, por me largimet.
Kështu, fjala bie, vetëm në vitin e fundit janë larguar 46 mijë e 460 rezidentë nga Shqipëria. Ndërsa, 13 mijë e 963 emigrantë, kanë ardhur për të jetuar në vend.
Numri i lindjeve, ka pësuar po ashtu rënie shumë të madhe, me 9.3%, ku vetëm 24 mijë e 688 foshnje erdhën një jetë. Por, rënie akoma më të madhe çuditërisht kanë pësuar edhe vdekjet, të cilat në vitin 2022 ishin 23 mijë e 998 persona, duke rënë me 21.3% krahasimisht me një vit më parë.
Në këtë mënyrë është ruajtur edhe raporti pozitiv i lindjeve ndaj vdekjeve.
Fakti është se problematika e rënies së popullsisë i takon gjithë Evropës.
Aktualisht, ka 742 milionë e 272 mijë njerëz, të cilët jetojnë në kontinentin e vjetër.
Vitin e shkuar ka pasur 0.17% më shumë. Pra, në 365 ditë, popullata në gjithë Evropën ka rënë me 0.17%.
Megjithatë, nuk është ky problemi real, aq sa është fakti që Shqipëria e ka shumëfish më të lartë këtë shifër dhe fakti se ajo lidhet me largimet.
Për shembull, Italia pati në vitin e fundit një ndryshim popullate prej -0.6%.
Nga ana tjetër, Gjermania e ka pasur me -0.09%.
Por, vende si Franca, apo Spanja, e kanë rritur popullatën respektivisht me 0.3% dhe 0.1%.
Këto vende të mëdha në kontinentin e vjetër, përfitojnë edhe nga fakti se presin shumë emigrantë dhe një pjesë e mirë e tyre kthehen në rezidentë atje.
Pra, paradoksalisht, Shqipëria ka një bilanc më të mirë të lindjeve krahasuar me vdekjet se këto vende, për shifra shpopullimi 10 herë më të larta.
Në projeksionet e Kombeve të Bashkuara, Evropa si kontinent, këtë përqindje shpopullimi nuk do ta ketë as në vitin 2100, kur parashikohet të shkojë tërësisht në terma vjetorë në 0.29%.
Gjatë rrugës megjithatë, do të ketë edhe pika kur shpopullimi të kapë nivelet e -0.50%. E sërish, nuk kapen nivelet e -1.1% që Shqipëria aktualisht ka.
Në gjithë Evropën, viti 2020 mendohet se do të mbetet i fundit për rritje pozitive të popullatës, ku prej 2021 e më pas, ka marrë vend rënia e saj.
Ndërkaq, në Shqipëri, prej vitesh shpopullimi është kthyer në një problemet ekonomiko-sociale më madhore.
Tirana është i vetmi qark me rritje pozitive të popullsisë, ku 33.5% e banorëve të vendit janë mbledhur të jetojnë.
Po për ata që në vend të Tiranës, zgjedhin të shkojnë jashtë dhe ta shpopullojnë vendin më tej?
Një zgjidhje sa më e shpejtë duhet gjetur për të frenuar fenomenin, i cili ndryshe nga fuqitë e mëdha, për Shqipërinë nuk zgjidh lakun thjesht me emigracion në pritje. /Albanianpost.com