Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga gara për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Sinjali.
Pas vendimit të tij, reagimet nga e gjitha bota nuk kanë ndaluar.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, shkroi se presidenti Biden ka arritur shumë për vendin e tij, për Evropën, për botën.
“Falë tij, bashkëpunimi transatlantik është i ngushtë, NATO është e fortë dhe SHBA-ja është një partner i mirë dhe i besueshëm për ne. Vendimi i tij për të mos kandiduar më, meriton mirënjohje”, shkroi kancelari gjerman.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se e respekton vendimin e presidentit Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale.
“Unë e di se, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme, presidenti Biden do ta ketë marrë vendimin e tij bazuar në atë që ai beson se është në interesin më të mirë të popullit amerikan”, shkroi kryeministri britanik.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një postim në rrjetin X i shprehu admirimin presidentit Biden për atë që ai e cilësoi vendim të guximshëm dhe dinjitoz.
“Falë vendosmërisë dhe udhëheqjes së tij, SHBA-ja e tejkaloi krizën ekonomike pas pandemisë dhe sulmit serioz në Kapitol dhe u bë shembullore në mbështetjen e saj për Ukrainën përballë agresionit rus të (Vladimir) Putinit. Një gjest i madh nga një president i madh që ka luftuar gjithmonë për demokraci dhe liri”, shkroi kryeministri spanjoll.