Pas reagimeve të shumta ndaj imamit Mazllam Mazllami i cili në një video e kishte quajtur flamurin kombëtarë shqiptar, leckë, tashmë kanë reaguar edhe nga Teqja e Madhe Ballkanike me seli në Gjakovë dhe Prizren.
Reagimi i plotë:
Kumtese per Media, lidhur me skandalin e diteve te fundit, fyerjet ndaj flamurit, simbolit Kombetar!
Përbuzja e flamurit kombëtar nga imami Mazllam Mazllami është ofendim i rëndë për secilin prej nesh dhe për shqiptarët kudo që janë. Teqja e Madhe Ballkanike, me seli në Gjakovë e Prizren, e dënon ashpër këtë akt dhe fton secilin institucion të besimit që të distancohet nga ai.
Për flamurin kombëtar eshte luftuar dhe sakrifikuar nëpër shekuj, deri në luftën e fundit çlirimtare në vendin tonë. Shumë dëshmorë kanë rënë për simbolin tonë kombëtar. Po për këtë flamur, më 28 Nëntor të vitit 1945, nga OZNA serbe është ekzekutuar pa gjyq pinjolli i Teqes sonë në Prizren, Musa Shehzade, sot Heroi i Popullit. Binomi fe e atdhe na ka karakterizuar nëpër shekuj, dhe asnjëherë nuk na ka ndarë. Pa atdhe nuk ka fe. Kjo ka qenë gjithmonë rruga jonë dhe formula jonë e veprimtarisë. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë binom është fyese, e papranueshme dhe e dënueshme. Teqja e Madhe Ballkanike distancohet nga veprimi poshtërues me flamurin kombëtar i te ashtu quajturit imam, dhe e denon atë. Ftojmë përfaqësuesit e të ghitha besimeve të mbrojnë simbolet tona kombëtare, ta ruajnë frymē e atdhedashurisë dhe frytet e lirisë e të shtetit që po e gëzojmë sot. Sakrifica e popullit tonë qēdron në themelet e të arriturave te sotme te te dyia shteteve shqiptare, kurse flamuri kombëtar në kulmin e tyre. Qoftë i bekuar përjetë flamuri ynë kombëtar! Qofshin të bekuar shqiptarët kudo që janë!
Teqja e Madhe Ballkanike, Gjakove Sheh Musa Shehu, Postmbajtës