Rasti ‘Lineker’ po reflekton krizën ku po kalon BBC

Përjashtimi i Gary Lineker nga emisioni futbollistik “Match of the Day”, i cili transmetohet në median shtetërore britanike BBC, ka sjellë në dritë një sërë polemikash mbi integritetin e institucionit medial më të madh në Mbretërinë e Bashkuar si edhe ka ngjallur debatin, lidhur me gjithë vendimmarrjet e medias.

Vetë Lineker, për shkak të kritikave që ka pasur sa i përket ligjit për azilkërkuesit në Britaninë e Madhe (çështje e shumëpërfolur me muaj, ku të përfshirë janë edhe emigrantët shqiptarë), u pushua nga emisioni.

Mirëpo, këtë gjë, BBC-së nuk ia falën jo vetëm shikuesit, por edhe kolegët e Lineker.

“Match of the Day” në fakt rrezikon të mos realizohet këtë fundjavë, sepse edhe dy bashkëpjesëmarrës të tjerë në emision, Ian Wright dhe Alan Shearer, e bojkotuan formatin.

Arsyet ishin pikërisht ato, të cilat lidhen me vendimin për shkarkimin e Lineker.

Fakti se një person publik me staturën e Lineker, i cili opinionbërjen e ka shtrirë edhe përtej sportit shpesh herë, nuk lejohet të thotë mendjehapur atë çfarë mendon mbi një situatë, ka ngritur shqetësime të mëdha në publik.

Shumëkush po shtron tashmë pyetjen se çfarë vetë BBC po i jep audiencës si ushqim për konsum dhe sa i pavarur institucioni medial është.

Pikërisht për këtë fakt, edhe komentatorët e tjerë të emisionit sportiv, janë tërhequr nga transmetimi, duke përfshirë Steve Wilson, Conor McNamara, Robyn Cowen, apo edhe Steven Weyth.

Arsyeja është e njëjta dhe lidhet vetëm me rastin Lineker, ku liria për të shprehur mendimet në publik, duhet të jetë primare.

Për më tepër që legjenda e futbollit britanik, ato komente i ka bërë në mediat e tija sociale dhe i janë drejtuar më së shumti sekretares për Punët e Brendshme, Suella Braverman, e cila ka rol kryesor në vendimmarrje mbi politikat lidhur me emigracionin.

Ky i fundit është realisht fakt shqetësues në Britani, por ajo çfarë është më shqetësuese për shikuesin lidhet me lirinë e fjalës dhe opinionit, gjë që me rastin në fjalë, po cenohet.

Do të tërhiqet BBC, apo do të zëvendësohet i gjithë formati “Match of the Day”?

Kjo mbetet për t’u parë në vijim. /Albanianpost.com

Read Previous

Akuzat ndaj Barcelonës për korrupsion, Florentino Perez thërret mbledhje urgjente

Read Next

Bizneset kundër propozimit për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike