Rasti i Pjetër Shalës në Speciale – përfundon dëshminë dëshmitari i pestë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të martën, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i pestë me radhë në rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës.

Dëshmitari i pestë me kodin 10 në rastin e Pjetër Shalës, para Dhomave të Specializuara të Kosovës, tha se Shala ka hyrë dhe ka dalë nga shtabi logjistik në Kukës pa kërkuar leje nga askush.

Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se personat e ndaluar që mbërrinin në shtabin e Kukësit dërgoheshin aty nga komandantët e ‘‘mëdhenj’’.

Ai tha se ata vinin me vetura dhe se i njëjti në hyrje të ndërtesës nuk mund ta dinte nëse ata ishin të dyshuar, por se këtë e kuptonte më vonë, kjo pasi që pas marrjes në pyetje sipas tij, disa i lëshonin dhe disa i mobilizonin në ushtri.

Kur u pyet nëse ata persona vinin në shtab me duar të lidhura, ai u përgjigj ‘‘unë si kom pa me duar të lidhura’’.

Tutje, dëshmitari tha se personat e ndaluar kishin qenë shqiptarë, por i kujtohet se ka pasur edhe romë.

Kurse, i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Gilbert Biitti, se a kishin qenë kushtet e këqija në ndërtesën ku ishin mbajtur të dyshuarit, dëshmitari tha se kushtet kishin qenë të njëjta për të gjithë.

Mappie Veldt-Foglia

“Sikur për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë kanë qenë, se kur hajshim na bukë edhe ata hajshin”, tha dëshmitari.

Prokurorët kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje. Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, që i konsideronin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për drejtimin e një burgu të improvizuar ku supozohet se u keqtrajtuan njerëz dhe një u vra, në nisje të gjykimit ndaj tij në Hagë, tha se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Në deklaratën e tij para trupit gjykues, ish-komandanti i UÇK-së, deklaroi se kishte luftuar kundër një makinerie ushtarake të një regjimi kriminal si ai i Sllobodan Millosheviç-it, por kurrë kundër civilëve.

Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritetet belge, ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021. Gjykimi ndaj tij filloi më 21 shkurt, ndërsa prokurorët e specializuar dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Ai ngarkohet për krimet që u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, e cila pretendohet se ishte nën kontrollin e UÇK-së. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Inflacioni në Evropë rritet para vendimit për normën e interesit

Read Next

Qerkini: Serbia nuk i hap arkivat, veç nëse u bije raketa përsëri në Dedinjë