Rastet e narkotikëve, ndër veprat penale më prezente në Kosovë

Drogat apo veprat penale që lidhen me narkotikë, vazhdojnë të jenë dukuri mjaft problematike për shoqërinë tonë, pasi që po prekin të gjitha moshat, e sidomos të rinjtë. Shkaktari kryesor i kësaj gjendje është mungesa e funksionimit të shtetit ligjor në parandalimin e kësaj dukurie dhe ndërmarrjen e masave konkrete.  

Ky lloj i kriminalitetit po shihet si një dukuri shqetësuese edhe nga organizatat joqeveritare, të cilat po merren me rehabilitim, edukim dhe risocializim të përdoruesve të këtyre substancave narkotike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në parandalimin dhe luftimin e veprave penale që kanë të bëjnë me narkotikë, Kosova me legjislacionet e saj i dënon këto veprime, por që ende nuk është siguruar një qasje e duhur në luftimin e kësaj dukurie negative.

Për këto vepra penale, sipas statistikave të Policisë së Kosovës të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, gjatë periudhës 2017-2019 janë evidentuar 5 mijë e 822 të dyshuar, janë arrestuar 5 mijë e 222 persona si dhe janë ndaluar 1 mijë e 30 persona.

Kurse, gjatë periudhës 2020-2021 janë evidentuar 1 mijë e 975 të dyshuar për vepra penale të narkotikëve, janë arrestuar 1 mijë e 936 persona si dhe janë ndaluar 575 persona. Viti 2020, vit në të cilin në Kosovë ka filluar pandemia COVID-19, ka pasur numrin më të madh të rasteve të veprave penale të narkotikëve me 1 mijë e 263 persona të dyshuar, 1 mijë e 144 të arrestuar dhe 270 të ndaluar.

Kryerësit e veprave penale të narkotikëve, në shumë raste kanë përfunduar duke u përballur me drejtësinë.

Duke marrë për bazë statistikat e të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), vërehet se ka një numër të madh të personave, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për këto vepra penale, disa prej të cilave janë gjykuar, por ende ka raste të shumta me të cilat po përballen gjykatat në Kosovë.

Sipas statistikave të KGJK-së të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se gjatë vitit 2018, prej 4 mijë e 951 lëndëve në punë, 727 janë lëndë e përbëjnë kategorinë e veprave penale të narkotikëve në Departamentet e Krimeve të Rënda, të të gjitha gjykatave themelore në vendin tonë.

Si vepra penale me të rënda, kategoria e veprave penale të narkotikëve sipas statistikave të KGJK-së, hyn në grupin e tretë, krahasuar me veprat penale të armëve dhe ato kundër jetës dhe trupit.

Gjykatat Themelore në Kosovë, në vitin 2018 kanë pasur në punë 727 lëndë të veprave penale të narkotikëve.

Për dallim nga viti 2018, më 2019 vërehet se gjykatat kanë pasur më pak lëndë, më konkretisht gjatë kësaj periudhe kanë qenë të ngarkuara me 713 lëndë të narkotikëve.

Ndërsa, për vitet 2020-2021 KGJK nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e “Betimit për Drejtësi” për qasje në statistika.

Për “Betimin për Drejtësi”, drejtori ekzekutiv i Qendrës Labyrinth, Safet Blakaj, ka thënë se mosha e cila merret më së shumti me kriminalitetin e narkotikëve janë të rinjtë, respektivisht sipas tij mosha mesatare është mosha 16 vjeçare.

“Na e kemi përcjellë me vite që nga 2002, po zëmë moshën e atyre që paraqiten për herë të parë në qendrën tonë dhe gjithnjë mosha ka shkuar duke rënë. Le të marrim një krahasim, për shembull në vitin 2008 mosha mesatare e atyre që kanë ardhur për herë të parë në qendrën tonë ka qenë 22.4 vjeç, ndërsa në vitin 2019 ka qenë 16.4 vjeç, kur ka filluar për herë të parë me përdorë dikush drogë. Edhe ngritjet e fundit janë diku rreth 16 vjeç, kjo është një tregues që tregon sa ka rënë mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Balakaj gjithashtu ka thënë se në qendrën e tyre ofrojnë terapi ditore për përdoruesit e lëndëve narkotike.

“Këtu tek ne është qendër ditore. Pra, ata vijnë gjatë orarit të punës fillimisht 3 herë, 2 herë në javë, e dikur ma vonë edhe 1 herë në javë. Nëse vlerësohet se dikush ka nevojë me terapi e me medikamente referohet te psikiatri jonë. Por, na i shmangemi shumë derisa nuk sigurohemi që me të vërtetë ka nevojë për terapinë dhe kontakti i vazhdueshëm me familjen”, ka thënë Blakaj.

Monitoruesit e IKD-së rregullisht monitorojnë seanca që kanë të bëjnë me veprat penale të narkotikëve, ku shihet se një numër i madh i këtyre rasteve janë të përfshira në krim të organizuar.

Ndërsa, veprat penale të kësaj natyre që më së shpeshti kryhen nga kryerësit kanë të bëjnë me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, për të cilat vepra dënimet më të shpeshta që gjykatat shqiptojnë, janë dënime me burgim nga 1 deri 3 vjet, po ashtu edhe dënime me gjobë. /BetimipërDrejtësi/

Read Previous

UNICEF dhe OBSH thirrje kosovarëve që të rrisin shkallën e vaksinimit për t’u mbrojtur nga sëmundjet e mundshme serioze

Read Next

Kurti pret ne takim ambasadorët e QUINT-it, flasin për dialogun