Raporti: Shqipëria, progres në luftën kundër pastrimit të parave

Shqipëria ka arritur një rezultat të rëndësishëm në vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Bazelit, vendi ynë është renditur në vendin e 36 në botë, me një vlerësim total prej 4.35, që tregon progres në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Shqipëria është renditur më mirë se shumë vende të Bashkimit Europian si Gjermania, Italia, Holanda, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Rumania apo dhe vendeve të tjera si SHBA, Kanada, Japoni.

Raporti thekson përmirësimet e Shqipërisë, sidomos në përmbushjen e rekomandimeve të institucioneve si FATF dhe Moneyval, të cilat kanë peshën më të madhe (65%) në vlerësimin përfundimtar, si dhe përforcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, i cili është realizuar me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

Vendi ynë ka bërë përmirësime të mëtejshme në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator (me angazhimin dhe të ekspertëve ndërkombëtarë) që ende nuk janë vlerësuar nga ekspertët e Moneyval, që sipas Ministrisë së Financave do e përmirësonte më tej renditjen.

Indeksi i Bazelit, i cili publikohet që nga viti 2012, bazohet në një metodologji të avancuar që analizon 18 tregues në pesë fusha kryesore:

Cilësia e kuadrit ligjor për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (65%); Ryshfeti dhe korrupsioni (10%); Transparenca dhe standardet financiare (10%); Transparenca dhe përgjegjësia publike (5%); Risqet ligjore dhe politike (10%); Metodologjia përdor një sistem pikësh nga 0 deri në 10, ku 10 përfaqëson nivelin më të lartë të rrezikut.

Edicioni i 13-të Publik i Indeksit të Bazelit AML thekson një përmirësim gradual në sistemet kombëtare për të luftuar pastrimin e parave – të paktën në aspektin e përputhshmërisë teknike me standardet globale dhe midis vendeve me dobësi të vjetra. Por efektiviteti i sistemeve kundër pastrimit të parave në praktikë mbetet në mënyrë alarmante i ulët përballë kërcënimeve në zhvillim nga mashtrimi dhe krime të tjera financiare komplekse, shpesh ndërkombëtare.

I zhvilluar dhe mirëmbajtur nga Instituti i Bazelit për Qeverisjen që nga viti 2012, Indeksi i AML-së së Baselit është një mjet i pavarur, i bazuar në të dhëna për renditjen dhe vlerësimin e rrezikut për pastrimin e parave dhe rreziqet e lidhura me krimin financiar në mbarë botën.  /ATSH/

Read Previous

Simone Inzaghi, trajneri i vitit në Itali

Read Next

Tri raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit