Raporti i anti-drogës në Itali: Rrjetet kriminale shqiptare po forcohen

Sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Antidrogës Italiane për vitin 2024, që analizon të dhënat e vitit 2023, organizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali po përjetojnë një rritje të ndjeshme të ndikimit dhe fuqisë në trafikun e drogës. Ky raport thekson se “trafikantët shqiptarë po ngjiten me shpejtësi në radhët e organizatave më agresive dhe më të fuqishme të trafikut të lëndëve narkotike në Itali”.

Gjatë vitit 2023, 171 organizata kriminale shqiptare u identifikuan nga policia italiane si të përfshira në trafikun e drogës, dhe 1,432 shqiptarë u hetuan për krime të lidhura me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këta përbëjnë 16.44% të të gjithë të huajve të raportuar për vepra të drogës. Në renditjen e të huajve të përfshirë në veprat penale të drogës, shqiptarët zënë vendin e dytë pas marokenëve, me 1,604 raste të raportuara në vitin 2023, duke shënuar një rritje nga 1,574 raste që ishin raportuar në vitin 2022.

Raporti vë në dukje se pjesa më e madhe e aktivitetit të këtyre grupeve shqiptare lidhet me trafikun e kokainës. Në vitin 2023, 1,263 shqiptarë u raportuan për përfshirje në trafikun e kokainës, krahasuar me 1,211 persona të raportuar në vitin 2022. Organizatat kriminale shqiptare kanë aftësi të lëvizin sasi të mëdha të kokainës dhe heroinës, duke kontrolluar çdo fazë të zinxhirit të furnizimit – nga blerja e drogës në vendet e prodhimit, deri te shpërndarja në Itali.

Një aspekt i veçantë i strategjisë së këtyre organizatave është përfshirja në të ashtuquajturën “Rruga Ballkanike”, një rrugë transporti për heroinën afgane që kalon përmes Turqisë dhe arrin në Itali dhe pjesë të tjera të Evropës. Për kokainën, organizatat shqiptare janë përfshirë në blerjen e drogës nga Amerika Latine, duke krijuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Kolumbi, Holandë dhe Belgjikë, dhe duke përdorur mjete të modifikuara për transportin e saj.

Raporti thekson se Shqipëria është bërë një partner strategjik për grupe të fuqishme të krimit të organizuar, përfshirë kartelet meksikane dhe ato braziliane të cilat kanë lidhje të forta me rrjetet kolumbiane të trafikut të drogës. Ky bashkëpunim përfshin gjithashtu organizata të njohura italiane si ‘Ndrangheta dhe Camorra, që kanë historikisht lidhje me trafikimin nga Kolumbia.

Një faktor që ka lehtësuar këtë bashkëpunim është afërsia gjeografike midis Shqipërisë dhe Italisë, që ka bërë më të lehtë krijimin e rrjeteve kriminale midis grupeve puliane dhe shqiptare. Këto rrjete janë veçanërisht aktive në tregtinë e marijuanës dhe kanë filluar të veprojnë gjithnjë e më shumë në struktura të ngjashme me ato mafioze, duke përdorur metoda frikësuese për të kontrolluar tregjet e drogës në Itali. /Euronews.al/

Read Previous

Shqiptari në Itali e mbyt bashkëshorten në sy të fëmijëve 4 dhe 6 vjeç

Read Next

Suedia rifut kontrollet kufitare