Një Claudio Ranieri i paprecedentë është paraqitur në intervistë dhe konferencën për shtyp pas ndeshjes me Porto-n (1-1). Trajneri i Roma-s sulmoi hapur gjyqtarin e ndeshjes, Tobias Stieler-in, duke e akuzuar atë se “do të ndihmojë Porto-n të fitojë”.
Trajneri i Roma-s, Ranieri shprehu zhgënjimin e tij pas barazimit 1-1 kundër Porto-s në ndeshjen e parë të play-offit të Europa League-s.
Ranieri filloi duke vlerësuar performancën e ekipit të tij, duke thënë: “Ishte një ndeshje e bukur. Ne erdhëm këtu për të fituar dhe unë jam shumë i kënaqur me paraqitjen e djemve”.
Megjithatë, toni i tij ndryshoi shpejt ndërsa iu drejtua kreut të gjyqtarëve të UEFA-s, Roberto Rosetti-t.
Pas fishkëllimës së fundit, Ranieri u vërsul në fushë për të penguar lojtarët e tij të përballen me gjyqtarin.
“Unë gjithashtu nuk doja që ata as ta përshëndesnin. Ai nuk meritonte një përshëndetje”, shpjegoi ai. “Duke parë diçka të tillë në një fushë ndërkombëtare… Është bërë tani, ne vazhdojmë”.
Trajneri veteran shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij me taktikat moderne të futbollit, veçanërisht me lojtarët që ekzagjerojnë kontaktet.
“E urrej kur shoh lojtarët që bërtasin dhe shtrëngojnë fytyrat e tyre sikur të ishin goditur. Përdorni VAR-in edhe kundër tyre dhe penalizoni ata që simulojnë, përndryshe nuk mund të luajmë më futboll. Ky nuk është më futboll!”, tha ai.
Në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes, Ranieri vazhdoi të vërë në dyshim emërimin e gjyqtarit, duke thënë: “Rosetti është një njeri me integritet, çfarë duhet të provojë një person serioz? Nuk e kuptoj. Ai dërgon një gjyqtar i cili në 21 ndeshje jashtë, ka parë vetëm 9 barazime, me skuadrën vendase që ka fituar pjesën tjetër. Si e di unë këtë? Edhe ai e di atë”.
Ranieri përfundoi duke sugjeruar se çështjet e gjykimit shtriheshin përtej kësaj ndeshje të vetme, duke iu referuar një emërimi të mëparshëm të diskutueshëm.
“Një miku im më tha se ai gjithashtu dërgoi Anthony Taylor-in në finalen e Budapestit”, shtoi ai, duke aluduar për një tjetër paraqitje të diskutueshme gjyqtari në një finale evropiane.
Trajneri i Roma-s vazhdoi kritikat e tij, duke sugjeruar njëanshmëri të gjyqtarit.
“Ai shkonte duke u sugjeruar kartona disave dhe duke ua dhënë të tjerëve. Sipas mendimit tim, ai priste që diçka të ndodhte brenda zonës së penalltisë, në mënyrë që t’u jepte atyre fitoren”, tha trajneri veteran.
Ranieri zbuloi se i kishte udhëzuar lojtarët e tij që të mos protestonin, pavarësisht se ai pranoi se disa kartona ishin të drejtë.
Roma mori tetë kartonë të verdhë dhe një të kuq gjatë ndeshjes. /Albanianpost.com