Rama: Vizita e ambasadorit rus në afërsi kufirit të Kosovës, teatër i rrezikshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se vizita e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko në afërsi të kufirit me Kosovën është një teatër i rrezikshëm.

Rama pas takimit me kryeministrin Albin Kurti është shprehur se, vizita e tij është shkrepsa që ndez objektet e institucioneve të Kosovës.

“Çfarë dëshiron ambasadori rus në afërsi të kufirit [të Kosovës]. Imagjinojeni ambasadorin amerikan të shkonte në kufi dhe të shikonte dhe çfarë bëjnë njësitë speciale. Natyrisht ky është një teatër i rrezikshëm sepse është në fakt shkrepsa që ndez godinat e institucioneve. Fatkeqësisht”, është shprehur Rama.

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e reciprocitetit të targave për automjeteve dhe se Serbia duhet t’i ndalojë manovrat teatrale me ushtri.

“Ato manovra risjellin në skenë hijen e të shkuarës dhe nxisin nacionalizim vandal të zjarrvënësve të institucioneve publike. Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë është se e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë që t’i kthej targat e automjeteve, në një pritshmëri konfliktuale ku mizën po e bënë buall thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë”, tha ai.

Gjatë ditës së diele, Bocan-Harchenkos së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes, Nebojsa Stefanoviq kanë vizituar trupat ushtarake të Serbisë që gjenden në afërsi të kufirit të Kosovës.

/Telegrafi/

Read Previous

Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi

Read Next

AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme rreth situatës së krijuar në veri të Kosovës