Shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, janë në një pozitë ku kanë peshën e tyre si asnjëherë më parë, dhe kjo është edhe fal kontributit të mërgatës shqiptare ndër vite, e që sot përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre.
Kështu u tha në samitin e tretë të diasporës, që po mbahet në Tiranë, e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga rajoni, dhe mijëra qytetarë e bashkatdhetarë që kontribuojnë për vendin dhe familjet e tyre. Megjithatë, aty u theksua edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po përballen me diskriminim sistematik që rezulton me spastrim etnik.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve politike, përtej të gjithave përkatësive krahinore si shqiptarë që kanë diçka për të dhënë.
Rama tha se për 100 vjet pavarësi, marria e të mos pasurit një strategji për të aktivizuar diasporën është mbase më të mëdha e politikbërsve në Shqipëri.
“Pa diskutim Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, shqiptarët kanë shumë arsye për të qenë të pakënaqur, kanë shumë arsye për të kërkuar shumë më tepër sepse vërtet ka shumë për të bërë por si sot, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë, asnjëherë më parë si sot shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë peshën e tyre jo vetëm për të marrë vendimet aty ku janë, qofshin në republika si Shqipëria dhe Kosova, qofshin në shtete ku janë popullsi shtetformuese apo komunitete dhe si kurrë më parë faktet nuk kanë folur dhe flasin sot në mënyrë inkurajuese për të ushqyer besimin se vërtetë kemi shumë për të bërë për të t’u ngjitur në majet ku do të shkruhet fjala jonë në historinë e botës por jemi sot në nivel komplet tjetër nga aq poshtë sa ishim kur Shqipëria ishte shumë larg së qenuri vendi që do të dëshirohej nga 10 milionë turistë në vit apo vendi si stacioni i Bashkimit Evropian për të ardhur dhe për të bërë samitet e veta, kur Kosova ishte shumë larg asaj që është sot për 1 e një arsye“, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mërgata është sublimim i përpjekjeve të gjata për shtet e pavarësi dhe se vazhdon të jetë katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë ata.
“Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë por lidhja me vendin e origjinës bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura lidhëse me botën. ….Përderisa jemi mbledhur këtu, mos të harrojmë se mërgata jonë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc po përballet me diskriminim sistematik që rezulton me spastrim etnik. Ju themi se ju nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve…..sot nëpërmjet rezistencave, kontributeve, filantropisë, shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona . Ata nuk janë vetëm qytetarë që jetojnë në dhe të huaj por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre, .. në fat, imazhi më i mirë i Kosovës është pikërisht mërgata jonë, njerëz punëtorë, atdhetarë që busullë orientimi e kanë vendin e tyre të prejardhjes”, tha ajo, duke shtuar se Kosova do ta bëjë të mundshëm krijimin e një mjedisi ku mërgata nuk është vetëm e vlerësuar, por edhe e fuqizuar për të kontribuar edhe më tutje në zhvillimin e shteteve tona.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë.
Sipas tij, Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën dhe nuk duhet shihen si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë.
“Vendin tonë e bën veçanërisht të dashur për shqiptarë e të huaj marrëdhënia e çlirët e miqësore që dimë të krijojmë, natyra shumë e veçantë, tradita kulinare e sofrat e bukura për familje, miq e dashamirës, dhe besimi në burimet natyrore, njerëzore e kulturore. Ndërsa është gjuha shqipe, ajo, që i jep jetë e kuptim të gjitha këtyre, për ne brenda e ju jashtë vendit. Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton. Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndaj, roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët është parësor… Vetëm kur shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë të ndihen pjesë e vendit të tyre si ata që jetojnë brenda vendit, Shqipëria do të arrijë potencialin e saj të plotë. Në këtë kuptim ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri”, vijoi Presidenti.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se ka thënë se mërgata mund ta bëjnë atdheun më të begat, duke u edukuar në vendet e ndryshme botërore dhe duke u kthyer Të gjithë të përkushtohemi
“Bukën na e dha nëna dhe armët na dha nëna, çdo ushtarë ka lëviz mbi trupin e kësaj nëne dhe sot Kosova është shtet i mvetsishëm, shqiptarët në Maqedoni të Veriut, janë shtet formues në të gjitha vlerat që i takojnë një kombi, me flamur, gjuhë, universitete, shqiptarët në Mal të Zi, mbase nuk e kishim ëndërruar që të kemi një kryeministër shqiptar, Dritan Abazoviqin. Prandaj, e pazëvendësueshme ka qen mërgata shqiptare, historikisht që nga Bukureshti, Stambolli dhe Egjipti, dhe më në fund më e reja por e larë më gjak, ajo e Evropës, që udhëhiqej nga Jusif Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe që kulmoi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Luftërat i fituam edhe politikisht, edhe ushtarakisht, edhe diplomatiket, sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, ta bëjmë të begat atdheun tonë, të organizohemi shumë më fort se sa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka…Evropa nuk mund të jetë e qetë edhe pa Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën, Malin e Zi, nuk mund të ketë paqe stabilitet e siguri pa Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Të pranishmëve me fjalë rasti i përshëndeten edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nikë Gjeloshaj dhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi. Samiti ka nis dje dhe po vazhdon edhe sot në Tiranë. /KosovaPress/