Rama: Rrjetet sociale krijojnë efekt varësie

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin sot në shkollën “Halit Coka”, në Kamzë për të vijuar takimet këshilluese me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.

Në fjalën e tij, Rama, rrjetet sociale e në veçanti TikTokun e cilësoi “shokun e ri” të fëmijëve, që sipas tij i tërheq më shumë dhe i shtyn drejt gjërave të gabuara.

“Natyrisht që sot ne ballafaqohemi me një problem që është ende i ri për shoqërinë, jo vetëm shqiptare, por për shoqërinë njerëzore. Sot fëmijët tanë, ata më të vegjlit, nuk janë vetëm me ne, me mësuesit dhe me shokët. Ata kanë edhe një shok tjetër që për fat të keq e preferojnë më shumë se sa ne, apo librat. Që është shoku që iu del kur futen në telefon, nëpër rrjetet sociale. Posaçërisht në TikTok, por jo vetëm në TikTok, ata kanë një shok që ju thotë ekzaktësisht të kundërtën e gjërave që u themi ne në shtëpi, apo mësuesi në klasë që nga detyrimi për t’u ulur e për të lexuar libra. Ne bëhemi palë në gabim, kur për të pasur një moment qetësie, ja lëmë në dorë shokun dhe atyre as nuk u dëgjohet zëri e as nuk e dëgjojnë zërin”, tha Rama.

“Është fakt me të cilin përballen të gjitha shoqëritë sot. Në vendet tona algoritmi stimulon gjëra që nuk duhen stimuluar. TikTok-u në Kinë është komplet tjetër. Atje fëmijëve iu dalin vetëm gjëra të bukura”, theksoi kreu i qeverisë.

Rama nënvizoi se, rrjetet sociale janë “gropa thithëse” që dërgojnë informacion në bazë të gjërave që klikon dhe që krijojnë efekt varësie.

Kreu i qeverisë theksoi se, pavarësisht të gjithave, bllokimi i TikTok nuk është zgjidhja.

“Gjërat e ndaluara te fëmijët, tërheqin më shumë! Bota virtuale sjell edhe akte kriminale, duket sikur zgjat aventurën e ekranit në jetën reale, aq sa mund të arrish edhe të vrasësh e se kupton çfarë ke bërë”, tha Rama. /ATSH/

Read Previous

Miratohet në parim Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Read Next

“GenCast” modeli i ri i motit që ofron parashikime 15-ditore