Rama: Masa ligjore për forcimin e kontrollit mbi territorin, ndëshkim ndërtimeve të paligjshme

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot disa nga masat e marra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit si edhe ndëshkimin e ndërtimtarisë së paligjshme.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri Rama solli në vëmendje disa nga ndërhyrjet në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Rama theksoi se një pjesë e këtyre masave kanë marrë fuqi ligjore, ndërkohë që një pjesë tjetër do të dalin për konsultim publik pasi janë masa që lidhen me Kodin Penal.

“Tërësia e këtyre masave lidhet me domosdoshmërinë e ndjekjes në një nivel tjetër të përpjekjes për t’i dhënë fund njëherë e mirë ndërhyrjeve të paligjshme të të gjitha natyrave në territorin e vendit”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, është një qasje 360 gradë që shtrihet në të gjitha drejtimet e konstatuara si problematike.

Rama theksoi se ky proces do të japë rezultate të konsiderueshme pasi krijon kushtet për një disiplinim të mëtejshëm të gjithë procesit të ndërtimit dhe jo vetëm lidhur me ndërtimet pa leje, por edhe me ndërtimet me leje, që rëndom bëhen shkak për leje dhe situata të vështira.

“Njerëzit paguajnë për të blerë një shtëpi dhe pastaj hasin gjithfarëlloj pengesash deri edhe pamundësinë për të regjistruar shtëpitë e tyre si pronë e patundshme apo edhe  pamundësinë për të hyrë në shtëpi, siç ka ndodhur në disa raste për shkak të konflikteve mes ndërtuesish apo të tjera të kësaj natyre”, shtoi Rama. /ATSH-Maela Marini/

Read Previous

Abdixhiku: Kemi vendosur t’i injorojmë sulmet e të përqendrohemi te qytetarët

Read Next

Kancelari gjerman përkujton 35-vjetorin e ribashkimit: Diversiteti na bën më të fortë