Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi rihap rrugën e de-eskalimit dhe të dialogut.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i Qeverisë, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.
“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës”, theksoi fillimisht kryeqeveritari.
Ai shton se duhet të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe “të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”.
Rama sapo ka mbërritur në Bruksel, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”, shkruan më tej Rama.
Sipas tij, fatkeqësisht së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek “fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste”.
Kjo, ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin, shtoi kryeministri shqiptar.
“Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një ‘Donbasi’ ballkanik mu në zemër të Evropës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht”, argumenton kreu i Qeverisë.
Kujtojmë që, vendimi për lirimin e tre policëve të Kosovës, të kapur nga forcat serbe në territorin e Kosovës, është marrë në orët e mëngjesit të së hënës. /Albanianpost.com