Rama: Jemi besnik ndaj Italisë, s’bëjmë marrëveshje emigrantësh me vende të tjera

Foto: Profimedia/ AFP/ Dursun Aydemir

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar se marrëveshja për emigrantët e nënshkruar me Italinë është një rast i veçantë dhe nuk do të ketë marrëveshje të ngjashme me vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe.

Gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin britanik, Keir Starmer, në Tiranë, Rama theksoi se bashkëpunimi me Italinë është i bazuar në një marrëdhënie të veçantë historike dhe gjeografike mes dy vendeve.

“Kam qenë shumë i qartë që prej ditës së parë që kur nisëm këtë proces me Italinë, që kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë, për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë, por edhe falë situatës gjeografike që është tejet kuptimplotë,” tha Rama.

Me një dozë humori, ai shtoi se Shqipëria ka marrë kërkesa nga disa vende për marrëveshje të ngjashme, por ka qëndruar besnike ndaj partneritetit me Italinë.

“Për të qenë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe ju kemi thënë jo, sepse jemi besnik martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik, Keir Starmer, konfirmoi se Britania e Madhe është duke diskutuar çështjen e emigracionit me disa shtete, përfshirë ndërtimin e qendrave të kthimit.

“Po po e diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh përsa u përket këtyre qendrave të kthimit. Dhe këtë e shoh në fakt si një çështje novatore të re dhe të rëndësishme, që është në përputhje me punën që ne kemi bërë për përshembull uljen e numrave nga Shqipëria, numrin rekord të kthimeve që ne kemi pasur… Edhe po i bëjmë këto diskutime ndërkohë”, deklaroi Starmer. /GazetaSinjali/

Read Previous

Suksesi eventual në Ligën e Evropës, pagat te Man Utd mund të rritën për 30 milionë euro

Read Next

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet me duele të zjarrta