Rritje ekonomike e lartë, ulej e papunësisë, paga të shtuara, turizëm të jashtëzakonshëm, politika të jashtme të konsoliduara dhe siguri më e lartë se kurdoherë tjetër.
Ka qenë ky praktikisht viti 2023 për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili e ka cilësuar atë si më të mirin e mundshëm, duke radhitur edhe disa suksese për vendin gjatë vitit që po lihet pas.
Këtë, ai e bëri me dije përgjatë një konference të fundvitit me gazetarët.
Fillimisht, kreu i Qeverisë ka bërë me dije se Shqipëria pritet ta mbyllë vitin me një rritje ekonomike prej 3.7%.
“Në këtë konferencë, mund të them se ndihem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim, i cili ka qenë më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt, në aspektin ekonomik, gjithmonë këtu duke pasur parasysh paranteza në raport me vitet e shkuara”, përshkroi ai.
Teksa, faktikisht, në fjalët e Ramës, ky ka qenë viti më i mirë për shërbimet publike, sigurinë, apo investimet e huaja.
Të ardhurat, sipas tij, kanë qenë si asnjëherë më parë dhe me rritje të ndjeshme.
Në 9 mujorin e parë Shqipëria ka përfituar 3.2 miliardë euro të hyra, një shifër shumë e lartë pa asnjë krahasim.
Turizmi ndërkaq konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit, po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale.
Sot, siç thekson Rama, jemi me një papunësi që është më e ulëta deri tani, e cila ndalet në 10.5%. Synimi i Qeverisë ndërkaq, është ta zbresë hap pas hapi nën 10%.
Investimet e huaja direkte, kanë arritur një vlerë mbi 1 miliardë euro, ose afro 60 milion euro mbi vitin e shkuar.
Paga minimale u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve, që përkon falë forcimin të monedhës vendase si asnjëherë më parë me 400 euro, vijoi ai më tej.
Kanë nisur programet e mbështetjeve dhe kompensimeve, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, qoftë edhe për pensionet që falë indeksimeve të bëra gjatë këtij viti, kanë arritur në vlerën rreth 9%.
Pagat në sektorin publik janë rritur ndjeshëm. Në qershor do kenë një tjetër rritje të konsiderueshme, arsimtarët, mjekët, efektivë, administrata do kenë rritje që do e çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro.
Ndër të tjera, ai ka përmendur si sukses edhe arritjet e aeroportit të Rinasit, i cili ka arritur të kalojë në fluks udhëtarësh atë të Beogradit, duke u kthyer kështu në një pikë kyçe rajonale për transportin e udhëtarëve. Gjë kjo, që kontribuon drejtpërdrejt në financat e vendit. /Albanianpost.com