Rama: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, çështje dinjiteti për shqiptarët

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se yjet e Shqipërisë janë rreshtuar për së mbarë por, siç theksoi ai, “na takon ne që këtë moment ta kthejmë në një shenjë të përhershme në Bashkimin Europian”.

Në një takim me punonjës të bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Rama tha se “kjo imja është një luftë me historinë dhe për historinë”.

“Ky është një moment kur yjet e Shqipërisë janë rreshtuar për së mbari, por na takon ne që këtë moment ta kthejmë në një shenjë të përhershme në BE. Duke i bërë të gjitha gjërat e duhura me kohën që kemi në dispozicion deri në ditën e anëtarësimit që është më afër se kurrë ndonjëherë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se për shqiptarët dhe Shqipërinë anëtarësimi në atë familje është mbi të gjitha çështje dinjiteti.

“Dinjiteti që u nëpërkëmb me dhjetëra dhe qindra vite edhe për fajin tonë pa diskutim. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ai emri ‘Albania’ aty në tryezën e gjithë atyre që i kemi parë dikur me dylbi dhe që na kanë parë për kaq shumë kohë nga lart poshtë është hakmarrja e çdo shqiptari të sotëm që është patriot për të gjitha poshtërimet që na i kanë bërë të huajt dhe për të gjitha vetëposhtërimet e të gjitha kohërave që na kanë bërë bufat e kënetës në shekuj dhe që nga vitit 1912”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në BE kalon nga Tirana që është lokomotiva e transformimit historik që duhet të vazhdojë”.

Ndaj ai kërkoi angazhimin e plotë në detyrë të gjithë punonjësve të bashkisë së Tiranës.

“Me ju në pararojë që nga skuadra e zv/kryetarit këtu deri tek lulishtarët, fshesarët, policët bashkiakë dhe gjithë punonjësit e bashkisë së Tiranës. Gjatë këtyre muajve bashkia e Tiranës duhet të zgjohet edhe më herët se sa zgjohej dhe të flejë edhe më vonë se sa flinte ku ishte mësuar me mua dhe pastaj e rimësoi edhe Lali, pasi e futi në gjumë ky që tani i është harruar edhe emri”, tha Rama.

Rama theksoi se përveç zgjedhjeve të 11 majit, Tirana do të presë Komunitetin Politik Europian në 16 maj.

“Tirana ka zgjedhje për të mbajtur në 11 maj, por ama bashkia e Tiranës ka miq të mëdhenj për të pritur në 16 maj. Kështu që çdo gjë duhet të shkëlqejë dhe gjithkush nga ju duhet të japë më të mirën e vet. Unë do të jem këtu me ju dhe për ju me Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, ditën dhe natën, me kokën lart, me mendjen e ndarë, me zemrën në vendin e duhur. Bashkë me çdo shqiptar e shqiptare që flamurin nuk e ka vetëm për në stadium por e ka në zemër, mendje dhe e ka në dritën e syve të vetë, që nga Tirana e të gjitha prejardhjeve dhe deri tek Shqipëria që sytë i ka te Tirana. Çfarë nuk të vret të forcon. Ditët më të mira janë të gjitha përpara”, tha Rama. /ATSH/

Read Previous

Begaj: Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar

Read Next

Hidhet shorti i Ligës së Kampionëve