Kontrata e yllit portugez, Rafael Leao me Milan-in përfundon në verën e 2024. Kuqezinjtë po punojnë për rinovimin e kontratës, por deri më tani nuk ka shenja pozitive në horizont.
Sipas raportimeve nga gazeta franceze “Le10Sport”, PSG është e interesuar për të marrë shërbimet e Leao-s dhe e gatshme për të rivalizuar me Chelsea-n për lojtarin.
Sulmuesi vjen si lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Serie A. Këtë fillim sezoni, Leao ka realizuar tre gola dhe gjashtë asistime në tetë ndeshje të luajtura.
PSG po ndjek nga afër rritjen e tij që nga sezoni i kaluar. Në Paris e shohin Leao-n si një opsion interesant për të qenë shoqëruesi i Kylian Mbappe në të ardhmen apo zëvendësuesi i tij, nëse francezi largohet.
Real Madrid tregoi interes të madh për të marrë shërbimet e portugezit këtë verë, por kuqezinjtë kërkuan të paguhej klauzola e lirimit të futbollistit, 120 milionë euro.
Luis Campos e njeh portugezin për një kohë të gjatë dhe e ka të qartë se ai do të ishte një nënshkrim i bujshëm.
Chelsea është i gatshëm të bëjë një ofertë të majme për të në verën e vitit 2023, kështu që pritet të jetë një garë shumë e madhe për shërbimet e Leao-s. /Albanianpost.com