Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me targa ilegale.
Përmes një njoftimi për media thuhet se afati është shtyrë deri më 15 dhjetor.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe dhe interesimit të lartë për regjistrim të automjeteve me targa RKS.
Afati i fundit për konvertimin e targave ilegale në RKS ka qenë deri më 30 nëntor.