Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequra nga NATO. Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy grupeve serbe nga veriu organizata terroriste.
Qeveria, në mbledhjen e djeshme njoftoi se i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile/Civilna zaštita” dhe komponentën e saj “Brigada e Veriut/Severna brigada”.
Ky vendim, sipas qeverisë, u mor duke u bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës se të njëjtat “paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.
Por, ShBA-ja, përmes një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, i ka thënë Klankosova.tv se ky veprim u mor pa koordinim me ta dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar ky zëdhënës, në pyetjet dërguar nga Klankosova.tv.
Po ashtu, DASh-i tha se i bëjnë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.
Ndër të tjera, zëdhënësi i DASh-it tha se ShBA-ja “dënon dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të drejtuar nga NATO-ja”.
“Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë”, ka deklaruar ky zëdhënës.
/Klankosova.tv/