Qeveria konfirmon se diplomatët sollën në Kosovë një plan për dialogun

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se diplomatët perëndimorë që të shtunën ishin në Prishtinë ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti, ofruan një plan për ecjen përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Në komunikatën për media thuhet se Kurti i ka falënderuar diplomatët për planin që kanë ofruar si dhe ka shprehur vlerësimet e tij.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje bëhet e ditur se Kurti ka theksuar që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.

“Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorizim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”. /Telegrafi/

Read Previous

Meloni: Komuniteti ndërkombëtar duhet të shmangë përshkallëzimin e luftës midis Izraelit dhe Hamasit

Read Next

Izraelit i bëhet thirrje të shpallë një armëpushim 48-orësh