Me synim të promovimit të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.
Kështu të paktën bëhet e ditur në një komunikatë për media e leshtuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Memorandumin në fjalë e ka nënshkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i këtij këshilli Ragmi Mustafi.
Memorandumi, sipas njoftimit, ka për qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës.
Sipas deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, memorandumi nënkupton “fillimin e realizimit të përkujdesjes institucionale të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës dhe dëshmon kredibilitetin që Këshilli Kombëtar ka ndërtuar te faktori kombëtar”. /Albanianpost.com