Pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës dhe përkeqësimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare si pasojë e mos-gatishmërisë së Qeverisë për të shtensionuar situatën në këtë pjesë të vendit, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një kompani lobimi në Uashington D.C. për përmirësimin e raporteve me administratën amerikane.
Qeveria e Kosovës, sipas një dokumenti të siguruar nga Euronews Albania, ka paguar kompaninë lobuese të një amerikano-shqiptari në vlerën prej 147 mijë euro, e cila do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara.
Kontrata në fjalë, sipas Euronews Albania, është nënshkruar më 26 qershor në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese, shqiptaro-amerikanit Avni Mustafaj.
Kontrata e nënshkruar ka hyrë në fuqi më 3 korrik dhe do të jetë e vlefshme për një vit.
Për 365 ditë kompania lobuese ndër të tjera do të ofrojë këshilla, përkrahje dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të përmirësuar marrëdhëniet bilateral ndërmjet SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
/albanianpost/