Qendrat e migrantëve në Shqipëri, Tajani: “Nuk do të dorëzohemi”

Zëvendës kryeministri i Italisë, Antonio Tajani deklaroi se autoritetet italiane nuk do të dorëzohen lidhur me qendrat e migrantëve në Shqipëri, gjatë një interviste për Il Giornale.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Dhe ajo që disa gjyqtarë kanë vendosur është plotësisht e dobishme” , u shpreh kryediplomati italian duke kujtuar se “ekziston një problem i ndarjes së pushteteve, gjyqësori nuk mund të zëvendësojë politikën”.

Sipas tij, lista e vendeve të sigurta është ajo që doli përmes dekretit.

“Duhet të saktësohet se ato qendra, siç shihet edhe nga pamjet, mund të jenë çdo gjë tjetër veç realitetit të botës së tretë”, nënvizon ai duke theksuar se nuk bëhet fjalë për Ruandën.

Ministri i Jashtëm e përmbylli duke thënë se “ekzekutivi, pra, ka një plan të përgjithshëm për emigracionin, i cili nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por edhe me Planin Mattei, që është thelbi i vizionit të ekzekutivit për këtë temë”.

17 ditë pas mbërritjes së azilkërkuesve të parë dhe 15 ditë pas kthimit të tyre drejt Italisë – nga ndalimi i gjyqtarëve – Roma zyrtare provon sërish.

Nga e hëna, Libra, anija e Marinës Italiane, do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampedusa për të patrulluar ujërat dhe për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në Mesdhe.

Kjo, për të kryer kontrollin e parë në bord dhe për të dërguar ata që janë “të përshtatshëm” për në Shqipëri: vetëm burra të rritur, “jo vulnerabël” dhe që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta sipas legjislacionit italian.

Sakaq, vendimi i gjykatës së Romës vendosi se “procedura e përshpejtuar e kufirit” nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian.

Tashmë është e qartë se për Gjykatën e Drejtësisë së BE-së një vend nuk mund të përkufizohet si i sigurt nëse edhe një pakicë e vogël qytetarësh janë në rrezik dhe i takon gjyqtarit përgjegjës që të dallojë rast pas rasti – nëse riatdhesimi do të rrezikonte jetën e personit.

Prandaj, Roma, nëse do të ndiqeshin kriteret e Gjykatës së BE-së, do të duhej të rishikonte listën e saj të vendeve të sigurta, duke përjashtuar për shembull Tunizinë, Egjiptin apo Bangladeshin nga ku vijnë shumica e azilkërkuesve.

Kjo do të shënonte fundin e “projektit Shqipëri”.

Por në vend të kësaj, qeveria italiane po përpiqet përsëri, fuqishëm për një lëvizje.

Më 21 tetor ajo miratoi një dekret ligjor që shënon përditësimin e listës së saj të “vendeve të sigurta”.

Në realitet, mund të mos mjaftojë vazhdimin pa pengesa dhe polemika të tjera.

Të martën e kaluar mbërriti dokumenti i parë zyrtar që vë në dyshim legjitimitetin e kësaj mase.

Gjykata e Bologna-s, duke shqyrtuar një ankesë të paraqitur nga një 30-vjeçar nga Bangladeshi, të cilit i ishte refuzuar azili, i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të përcaktonte nëse dekreti duhet të mos zbatohet duke qenë se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi “të sigurt” bien ndesh me ligjin evropian.

Ndërkohë, hotspot-i i Shëngjinit dhe tre objektet e qendrës së Gjadrit, një për azilkërkuesit, një për emigrantët që do të riatdhesohen dhe burgu, mbeten “në pritje”.

Prej dy javësh ata kanë mbetur pa “mysafirë” por të populluar nga gati 300 punëtorë: përkthyes, pastrues, staf mjekësor, infermierë dhe oficerë policie, polici financiare dhe karabinierë. /Albanianpost.com

Read Previous

Aplikimet për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës të hapura deri më 26 dhjetor

Read Next

Zinedine Zidane emëron stadiumin më të mirë në të cilin ka luajtur gjatë karrierës së tij